TIRANË

Një anë tjetër e një njeriu tashmë të ndjerë, të konsideruar ‘kriminel’ për drejtësinë e ligjet por për të afërmit i mrekullueshëm. Të tillë e përshkruan mbesa, vajza e vëllait Admir Muratajn, 42-vjeçarin që konsiderohet organizatori i grabitjes së Rinasit më 9 prill dhe që mbeti i vrarë pas zjarrit me policinë.

Nisur nga përshkrimet e ndryshme, më shumë të aktivitetit të tij kriminal, mbesa ka sjellë një anë tjetër të xhaxhait të saj për t’ia prezantuar publikut. Ilir Murataj, vëllai i Admirit e ka postuar këtë status në profilin e tij në “Facebook”.

STATUSI I PLOTË
Kush ishte Admir Murataj?
Është titull që do e gjeni kudo, në artikuj të shkruar nga gazetarë të cilët me mënyrat e tyre përpiqen t’i japin përgjigje dhe të analizojnë karakterin, mendjen, jetën dhe vdekjen e tij. Dhe është pikërisht në përpjekje për të përballuar këtë të fundit që edhe unë mundohem t’i tregoj të gjithëve se kush ishte Adi.

Përmes gjithë lotëve dhe luftës me veten për të arritur ta pranoj realitetin dhe atë çfarë ndodhi, për një gjë jam e gëzuar. Jam një ndër pak persona që arriti ta njihte vërtet, që mund të them me gjithë zemër se sa bir, baba, vëlla, xhaxha, dajë dhe mik i mrekullueshëm ishte për të gjithë. Dhe kështu do e kujtojmë gjithmonë, veshur me një bluzë polo, një kapelë sportive dhe Fredin që i shkonte nga mbrapa, nuk mendoj se ka pasur ditë që e kam parë pa një buzëqeshje në fytyrë dhe gjithmonë me dashuri pa kushte për çdo person të zemrës.

Për mua do të mbetet pjesë e historisë, ashtu siç shkruhen artikuj, një ditë familjes tonë mund ti vijë një kërkesë, për libër, film apo dokumentar por nuk ka fjalë, foto apo video që ta përshkruaj ashtu siç duhet imazhin e tij. Mesa duket misteri do mbetet mes familjes Murataj, që gjithmonë do e kujtojmë dhe thellë- thellë nuk do ta pranojmë atë që ndodhi, duke menduar se e gjithë kjo nuk ishte e vërtetë dhe ndoshta mendja e tij ka menduar një fund tjetër. Për mua… pavarësisht realitetit, ai do jetë gjithmonë aty, duke ardhur drejt meje me atë të ecurën që mund ta dalloja shumë metra larg apo duke pritur ta takoj që të me thotë prapë “zemra xhaxhit”.
Gjithçka më mbetet të them është kjo:
Një ndër momentet më të vështira në jetë është kur e kupton se nuk mund t’ia tregosh me dashurinë dhe respektin dikujt dhe të bën të duash të kthehesh pas në kohë, prandaj gjithçka mund të them është përqafoni ata që keni afër dhe bëjini një telefonatë atyre që ndodhen larg.

“Kush është Admir Murataj” e mori një përgjigje, tani më mbetet t’ju tregoj ku është… gjithmonë në zemrat tona, gjithmonë pran nesh, dhe pranë nënës së tij.
Nëse dikush më pyet për të, do ia ngre emrin sa më lartë dhe prapë nuk do të ishte mjaftueshëm.
Fati im që ndajmë të njëjtat iniciale, A.M

Ilir Murati Fb
Ilir Murati Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb