Gazetari Andi Bushati, në një shkrim të tijin botuar në “Lapsi.al” flet për situatën e krijuar ditën e fundit me debatet për largimin e tenorit Agim Hushi dhe reagimit të tij për shoqërinë shqiptare dhe gjendjen e Shqipërisë.
Bushati shkruan se ata njerëz që largohen në këtë mënyrë, nuk janë as heronj, por as tradhtarë. Sipas tij, largime të tilla janë personale dhe debati është i kotë.
“Duhet ta themi që në fillim dhe pa hezitim se, nëse dikush shpall se largohet pasi nuk gjen hapsirat e duhura, pasi i kanë suprimuar vendin e punës, pasi i kanë çpuar gomën e makinës, kjo nuk është një çështje kombëtare. Largimi i atyre që kanë mundësi ta shpallin këtë akt me bujë, është krejt i ndryshëm nga ai i dhjetra mijë shqipëtarëve që zgjedhin ta braktisin këtë vend nga pamundësia. Sepse ikjet e tyre nuk kanë asnjë tagër plus për të treguar, as se Shqipëria është më e mirë, as se ajo po bëhet më e keqe.
Ato janë thjeshtë zgjedhje personale, të marra sa nga racionaliteti i mundësive, po aq dhe nga emocionaliteti i momentit. Ata që ikin nuk janë as heronj që nuk pajtohen me gjendjen e keqe dhe as tradhëtarë që po braktisin anijen. Akti i tyre nuk është simbol për asgjë. Besoj se kushdo që ka lexuar sadopak për dëshmitë e gjata të francezëve të larguar që kanë provuar “le mal du pays”, të britanikëve që kanë ndjerë peshën e “homesickness”, apo të mercenarëve të zvicerës gjermanike që i mundonte «heimweh», kur ishin larg vendit të tyre, e ka të qartë se për çka flas.
Në lojë është ajo që psikologët e njohin si sindromën e mungesës së vendlindjes: një lloj nostalgjie për vendin e origjinës, për zbehjen e gjërave familjare, për largësinë nga kujtimet e fëmijërisë, nga gjuha e nënës, nga kultura me të cilën je rritur. Mënyra se si gjithësejcili e zgjidh këtë raport delikat me veten e tij, midis kujtimeve të së shkuarës dhe ambicieve për të ardhmen, midis anës emocionale dhe sfidës për të riskuar, është një çështje krejtësisht personale”, shkruan ai.
(BalkanWeb)
