“Trenit” të kritikëve në Perëndim kundër Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në vazhdën e trazirave që kanë përfshirë veriun e Kosovës i është bashkuar edhe Presidenti francez Emanuel Makron. “Autoritetet kosovare vendosën mos ta respektojnë marrëveshjen e arritur me ndërmjetësim europian që përfshinte dhe kancelarin gjerman Olaf Sholz. Procesi i nisur po njihte progres falë negociatorit Lajçak dhe implikimit të Zhozef Borelit”, shprehet në fillim të ndërhyrjës së tij Makron. Deri këtu mesa duket presidenti francez bën aluzion për planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Por çfarë nuk ka respektuar Albin Kurti dhe që e ka bërë Makronin të ndihet i fyer? Presidenti francez e sqaron më pas akuzën e tij me këto fjalë: “Ne ua bëmë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim që ato të organizonin këto zgjedhje (lokale në Kosovën veriore) meqenëse pjesëmarrja e votuesve do të ishte pothuajse inekzistente”, u shpreh presidenti francez gjatë një konference për shtyp në Bratislavë, Sllovaki. Nëse është vërtetë kështu dhe nuk ka dyshim se Presidenti francez thotë të vërtetën, atëherë është fare i kuptueshëm zemërimi i europianeve me Albin Kurti që “i ka prerë në besë” duke provokuar me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Veçse Presidenti francez duket se nuk është në dijeni të një deklarate totalisht të kundërt të Departamentit amerikan të shtetit një muaj e gjysëm më parë.

Qëndrimet amerikane ndryshe nga ato europiane?

Me datë 19 prill 2023, televizioni Euroneës Albania citon një intervistë që Gabriel Eskobar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kishte dhënë agjensisë serbe të lajmeve Tanjug në lidhje me perspektivën e zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës. Dhe ajo që thoshte Eskobar në prill bie ndesh me këtë që thotë Emanuel Makron më 31 maj. Euronews Albania shkruan me 19 prill: “ i pyetur nga Tanjug nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë ato, Eskobar është përgjigjur: “I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar.

Kur Fuqia më e madhe politike në botë, SHBA-të, dhe ajo me e madhja në Europë, Franca, mos të jenë dakord për këtë pikë kardinale nëse Kurti duhet t’i kishte organizuar zgjedhjet apo jo, përbën një ngërç diplomatik. Qeveria e Kosovës e cila është goditur ashpërsisht sot nga Emanuel Makron ka interes të bëjë një ore e më parë transparencë të plote se ç’ka ndodhur midis Kurtit dhe diplomacisë amerikane nga njëra anë dhe Kurtit dhe diplomacisë europiane nga ana tjetër.

Kush gënjen, kush thotë të vërtetën? A kishte autorizim nga partneret ndërkombëtarë Albin Kurti për t’I mbajtur zgjedhjet siç e ka deklaruar Eskobar ne Tanjug ne 19 prill? Apo Kurti nuk e kishte këtë autorizim siç e deklaron Makron nga Bratislava më 31 maj?

Mësim për të ardhmen për Kosoven

Më shume sesa “nderi” i Albin Kurtit është në lojë koherenca e perëndimorëve në lidhje me instruksionet që ata vetë i japin liderëve në Ballkan.

A ishin vërtetë në një gjatësi vale SHBA dhe BE mbi nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, është pyetja që shtrohet tani legjitimisht.

Siç e besojmë Presidentin Makron që deklaron se i kishte kërkuar Kryeministrit të Kosovës mos t’i mbante zgjedhjet, po aq shume i besojmë edhe Departamentit të Shtetit për të kundërtën pasi Eskobar qartësisht rekomandonte mbajtjen e këtyre zgjedhjeve duke garantuar biles edhe njohjen e rezultatit final pavarësisht bojkotit të serbëve të Kosovës.

Skenari i vërtetë mund të ketë qenë se Albin Kurti ka biseduar edhe me europianët që i kanë thënë “don’t go”, edhe me amerikanët që i kanë thënë “Go”, dhe kryeministri kosovar ka vendosur të mos dëgjojë europianët por të zbatojë ata që i kanë thënë amerikanët. Rezultati është se Albin Kurti gjendet tani i braktisur edhe nga europianët të cilët kanë të drejtë që nuk iu dëgjua fjala e tyre, por dhe nga amerikanët qëndrimi i të cilëve është me pak i kuptueshëm. Mbase amerikanët kanë qenë për mbajtje zgjedhjesh por jo për dërgim të kryebashkiakëve në zyrat e tyre. Në këtë rast do të kishte qenë më e thjeshtë që dhe amerikanët t’i bashkoheshin pozicionit europianë dhe t’ja ndalonin kategorikisht Albin Kurtit të hynte në këtë zgjedhje siç paska qenë qëndrimi i Francës dhe BE-së sipas Makronit. Apo ndoshta Kurti ka rënë me këmbët e tija ne një kurth në të cilin e kanë futur vetë amerikanët për ta diskredituar më pas. Një skenar ky i pabesueshëm sepse çmimi me trazira është tepër i lartë për të humbur kohën me makinacione të tilla me Kryeministrin e Kosovës. Sido që të jetë, një gjë të bëhet mësim për të ardhmen për liderit shqiptare në Ballkan: të mos ndërmarrin më asnjë hap pa qenë të sigurt se ka një sinkron amerikano-europian. Kohët e fundit e kemi para shpesh se  amerikanet dhe europianët nuk kanë qenë gjithmonë dakord dhe për gjithçka sesi duhet ndihmuar Ukraina. Është normale që edhe skenarët për zgjidhjen krizës së Kosovës të jenë ndonjëherë të ndryshëm në Uashington dhe Bruksel. Mënyra e vetme për të evituar çdo “quiproquo” është dialogu dhe transparenca me të gjitha palët aleatë në mënyrë që atë që Kosova ja premton një partneri, t’ja premtojë të gjithë partnerëve. Kjo mungesë transparence së çfareë është thënë realisht për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë në biseda me amerikanët dhe europianët po i kushton tani Kryeministrit të Kosovës krizën më të rëndë diplomatike të historisë së shtetit të Kosovës.

Një gjë pozitive mbetet, Kosova, SHBA-të dhe BE-ja janë po aq aleate midis tyre se ç’është dhe Ukraina me Perëndimin, të gjithë me një qëllim të përbashkët mbajtjen sa më larg të Rusisë nga vatrat tona…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb