Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së dytë të zhvilluar në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, duke hedhur poshtë kërkesat për anulimin e projektit dhe duke akuzuar organizatorët për manipulim të opinionit publik. Në një reagim të gjatë në rrjetin social X, Rama tha se aktualisht nuk ekziston një projekt i përfunduar për t’u anuluar, pasi sipas tij ai po hartohet ende nga pesë studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës, mes tyre ato të Kengo Kuma, Bjarke Ingels, Jean Nouvel, Emre Arolat dhe K-Studio.
“Së shpejti, kur projekti të jetë gati, do ta prezantojmë publikisht. Kështu që më vjen keq, por nuk kemi projekt për të anuluar”, shprehet kryeministri.
Rama kundërshtoi gjithashtu pretendimet e ngritura nga protestuesit lidhur me përfshirjen e Izraelit në investim, duke i cilësuar ato si gënjeshtra dhe manipulime. Ai theksoi se investimi parashikohet të realizohet nga partnerë amerikanë dhe nga grupi katariot Power International Holding, përmes kompanisë së tij “Assets”.
Sipas kreut të qeverisë, projekti përfaqëson një investim historik prej 4 miliardë eurosh, që do të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin turistik të vendit. Rama akuzoi organizatorët e protestës se po përdorin dezinformimin për të nxitur reagime qytetare dhe për të penguar investimet e mëdha në Shqipëri.
Reagimi i kryeministrit
Të anuloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot?
Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?
E dini pse nuk ka projekt?
Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjozet në botë! Klikoni Kengo Kuma (Japoni) Bjarke Ingels (Danimarkë) Jean Nouvel (Francë) Emre Arolat (Turqi) K-Studio (Greqi) dhe njihuni me autorët e projektit arkitektonik.
Së shpejti, kur projekti të jetë gati, patjetër do ta prezantojmë publikisht, siç bëjmë gjithnjë me projektet e mëdha të arkitektëve ndërkombëtarë, aq më tepër për një investim historik si ky.
Kështu që më vjen keq, po s’kemi projekt për të anulluar.
Po me “Izraelin që ka marrë Zvërnecin për ta bërë geto palestineze”, akoma do vazhdoni?
Pra do t’i keqpërdorni akoma ndjenjat e qytetarëve të mirë, pa dallim feje e ideje, që e duan megjithë zemër Shqipërinë dhe natyrën e saj? Ata dalin në rrugë për këtë ndjenjë të prekur nga manipulimet tuaja për gjoja shkatërrimin e natyrës, po kurrësesi jo për të fyer kujtimin legjendar të gjyshërve tanë muslimanë e të krishterë, që i dhanë Shqipërisë vendin e nderit në Luftën e Dytë Botërore, duke i mbrojtur hebrenjtë me jetën e tyre!
Ata duhet ta dinë të vërtetën e bukur, se bashkëinvestitorët e sipërmarrjes më të madhe turistike në Mesdheun e sotëm të Europës, atje në Zvërnec, janë miq të çmuar amerikanë të Shqipërisë dhe miq nga Katari, këta të fundit bashkëpronarët e konglomeratit gjigand Power Holding – pra nga një vend që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin, por që ndryshe nga shejtanët trushpëlarë e brutalë që duan të mbrojnë Zvërnecin nga pushtimi i Izraelit, ata janë muslimanë vizionarë e të përulur ndaj Allahut e ndaj punës! Klikoni http://powerholding.com që ta shikoni se çfarë dëmi po i bëni Shqipërisë, duke u treguar mosmikpritës ndaj një investimi 4 miliardë Euro, i cili do të realizohet prej kompanisë “Assets”, pjesë e Power Holding! Klikoni, klikoni.
Po mirë, si do ta mbani gjallë me të njëjtat gënjeshtra këtë luftën tuaj të stisur me shpifje dhe me manipulime apo mendoni se ata mes jush, që më kanë besuar e votuar mua, do ju besojnë e ndjekin qorrazi deri kur ju të realizoni planin për të cilin jeni paguar, trainuar, orkestruar, madje jo nga një usta, po nga ustallarë të ndryshëm, të cilëve nuk u dhimbset natyra e Zvërnecit, po e duan Shqipërinë tokë të djegur për investimet e mëdha që dallojnë Ligën e Kampionëve me kategoritë e dyta e të treta të destinacioneve turistike?! Madje më keq, e duan në gjunj siç ishin mësuar deri dje, jo në këmbë e me kokën lart siç është, e lëre pastaj me kurorën e princeshës së turizmit mesdhetar…
Do shohim, e vërteta vonon po nuk harron dhe gënjeshtrat tuaja kanë nisur që sot t’i nxjerrin këmbët e shkurtëra.
Të anulloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot?
Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt?
E dini pse nuk ka projekt?
Sepse projekti po punohet nga pesë…
— Edi Rama (@ediramaal) June 1, 2026
