TIRANE- Dy gra të dhunuara kanë rrëfyer historitë e dhimbshme të jetës së tyre, në emisionin “Njerëz në Fokus”. Të mbetura në mes të rrugës, më fëmijët e tyre të vegjël, ato bënë apel për strehë dhe ushqim. Njëra prej tyre tregoi sesi ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas e braktisi. Por dhimbja e saj nuk mbaroi me kaq.

Një tjetër derë i mbyllën familjarët e saj, të cilët i vendosën kusht që të braktiste fëmijën, në mënyrë që ta pranonin në shtëpi. Por nëna e re vendosi të qëndrojë me fëmijën e saj, ndonëse mbeti pa asnjë mundësi për të siguruar jetesën.

Ndërsa gruaja tjetër, nënë e dy fëmijëve, rrëfeu dhunën që ushtrohej ndaj saj jo vetëm nga burri, por edhe nga familjarët e tij. Ajo thotë se si pasojë e dhunës ndaj fëmijëve, njërit prej tyre, djalit më të vogël, iu hoq edhe veshka si pasojë e dëmtimeve.


E gjendur në këtë situatë, ajo vendosi të largohet bashkë me fëmijët e saj për t’i shpëtuar dhunës.

Në fund të emisionin “Njerëz në fokus” në studion e “News24”, ato bënë apel për ndihmë, dhe në fakt zëri i tyre u dëgjua. Imami i Xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi garantoi strehë dhe ushqim për dy nënat dhe fëmijët e tyre.

Sakaq mbështetje për to erdhi edhe nga zyrtari i Kishës Ortodokse shqiptare, Miron Çako, i cili tha se do të plotësohen nevojat e këtyre nënave dhe fëmijëve të mbetur pa mbështetje.

Thirrje për ndihmë panelistët në emision i kanë drejtuar edhe institucioneve përgjegjëse dhe Bashkisë së Tiranës, (duke qenë se dy gratë tashmë jetojnë në Tiranë), t’i mundësohet punësim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb