TIRANE- Një ditë para se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda të vendoste lirimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke i hequr masën ‘arrest shtëpie’ ambasadori Donald Lu deklaroi se për këtë çështje gjyqtarëve iu ishte bërë presion dhe iu është ofruar ryshfet. Ndaj, siç duket edhe pasi u dha vendimi në favor të Tahirit, Ambasada Amerikane pohoi për “BalkanWeb” se i qëndron të njëjtës deklaratë që bëri një ditë më parë ambasadori Lu.

Në një prononcim ekskluziv dje për “BalkanWeb” Donald Lu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgonin këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”- tha dje Donald Lu për “BalkanWeb”.

Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi më 12 maj masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj, ndërkohë që sot u vendos që ai të hetohet i lirë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: