TIRANË

Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” dhe “News24” dosjen e grupit kriminal të Elbasanit, atij të Çapjave.

Në dosjen që siguron gazetarja Lala për “BalkanWeb” është edhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili mes të tjerash ka thënë para autoriteteve të drejtësisë se kreu i bandës kriminale, Ardian Çapja, i ka ofruar 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit.

“Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Realizimi i vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga policia, pasi dyshohej për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij”, ka thënë Bardhi në rrëfimin e tij.

DETAJE NGA DOSJA

Ervis Bardhi është njeriu që ka ekzekutuar në vitin 2012 Gentian Beqirin dhe babanë e tij, Nezirin, me urdhër të Çapjave. Siç theksohet në dosjen e prokurorisë, të siguriar për “BalkanWeb” nga gazetarja Lala, i penduari ka shpjeguar se vrasjen e kreu me Olsi Lekun, ndërsa Etien Cani ishte në rolin e ndihmësit.

Ndërkohë, gazetarja mëson se Bardhi është penguar, pasi ka pasur përplasje me Olsi Lekun për çështjen e lekëve të krimit të dyfishtë, që tronditi Elbasanin dhe mbarë vendin. Lekët që ata morën për vrasjen e babë e bir i investuan më vonë në trafik hashashi, por që sasia u kap nga policia.

Ndërsa, siç thekson gazetarja Lala, ndihmësi në krim, Etien Cani, u zbulua nga mesazhet që kishte shkëmbyer me të dashurën.

ARRESTIMET

Ardian Çapja, i cilësuar si kreu i një grupi kriminal të Elbasanit, u arrestua nga forcat RENEA një ditë më parë, si organizatori dhe financuesi i vrasjes së Gentian e Nezir Beqiri, më 2012.

Ndërkohë, një ditë pas arrestimit të tij, forcat RENEA zbarkuan në vilën e tij luksoze, ku i vunë prangat të kërkuarit tjetër Ardi Çekani, që strehohej pikërisht aty, ndërsa sekuestruan 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të policisë.

SI U ZBULUA VRASËSI

Në gjurmët e Ervis Bardhit prokuroria ra 6 vite pas ngjarjes që tronditi vendin. Ai u zbulua përmes një gjurme gishti, në një targë makine, pranë automjetit që përdorën ekzekutorët e babë e bir. Gjurma e gishtit rezultoi e përputhshme me atë të Ervis Bardhit. Në 2018, ai u shoqërua në polici që të jepte shpjegime, por tha se nuk ishte mirë nga gjendja psikologjike, dhe se do të rikthehej për të folur.

Në dosje thuhet se ai nuk u kthye më. Por një vit më vonë, në 2019 ai u paraqit në prokurori dhe vendosi të rrëfente emrat e bashkëpunëtorëve dhe akuzoi direkt Ardian Çapjan e nipin e tij Florencin, që tashmë është në kërkim si organizator i vrasjes për motive hakmarrje, përderisa Gentian Beqiri dyshohej si një nga ekzekutorët e Sokol Çapjas, në 2005. Përgjatë dy viteve të fundit, prokuroria urdhëroi arrestimin e të dyshuarve të tjerë për vrasjen e dyfishtë, ndërsa vijoi hetimet për Çapjat.

Sipas urdhërimit të gjykatës, prokuroria ripyeti të gjithë familjarët e viktimave, punonjësit e policisë që ndodheshin në shërbim duke ruajtur Gentian Nezirin, pasi ndodhej në arrest shtëpie, ndërsa ballafaqoi të penduarin me të dyshuarit e tjerë. Pas kryerjes së këtyre veprimeve hetimore, prokurori Ridvan Sukaj urdhëroi arrestimin e 53-vjecarit Ardian Capja. Pas këtij momenti, prokurori i çështjes Sukaj iu drejtua Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një kërkesë për mbrojtje fizike, duke pretenduar se ndihet i kërcënuar për jetën e tij dhe të familje, ndërsa është duke e shqyrtua kërkesën e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb