Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Në kohën kur Enver Hoxha kishte vetëm pak ditë që kish vdekur dhe ende vazhdonin të bëheshin homazhe nga populli i përlotur që parakalonte ndanë kufomës së tij në një sallë të madhe me tinguj të muzikës klasike në sfond, që nuk arrinin dhe nuk duhej të arrinin t’i mbulonin ngashërimet e herahershme, dikush nga shokët e tij, apo ndoshta e shoqja, apo edhe ata, edhe ajo njëkohësisht, u kujtuan për maskën e allçinjtë që duhej t’i bëhej Enverit, që të ishte në dispozicion të skulptorëve, të cilët me siguri do ta përjetësonin me sa e sa buste e shtatore gipsi, bronzi e mermeri në të ardhmen, ndër vite e ndër shekuj”, romani “Fjalori udhëzues i dosjeve” (2015) nga Bashkim Shehu.
Një javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, nën drejtimin e Muntaz Dhramit, dy formatorë, realizuan maskën në allci të fytyrës së diktatorit. Synohej të ruhej kështu, imazhi i fundëm i ‘udhëheqësit’, që të mund të përdorej në të ardhmen për skulptura që do të mund të realizoheshin për nder të tij. Maska, imazhin e së cilës e botojmë sot sipas disa fotove të realizuara nga gazetari Ben Andoni, tetë vite më parë, nuk të kujton aspak pamjen e tij; mbase se u realizua me urgjencë, mbase ngaqë u realizua në mënyrë sekrete, e mbi të gjitha se kish kaluar një javë që Hoxha qe ndarë nga jeta. Tradita e ruajtjes së maskës, e nisur me Faraonin Tutankhaum, e vijuar Napoelon Bonapartin e Leninin, u vu në provë edhe në rastin e Hoxhës, në prillin e 1985. Prej asaj kohe, nuk u fol më për të, veçse shkarazi në media, më shumë prej interesit të gazetarëve.
30 vite më vonë…
“Kartelë me nr. objekti 3786. Vendndodhja: Muzeu Historik Kombëtar. Fusha: Etnografi. Tipi: Relike. Titulli: Maska e Enver Hoxhës. Materiali: Allçi. Origjinal ose kopje: Origjinal. Kjo është kartela e objektit që është ruajtur në Muzeun Historik Kombëtar, prej kohës që sendet e diktatorit kaluan nga Piramida në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo është ruajtur në fondet e MHK-së prej pothuaj tri dekadash, dhe pak kush e ka ditur ekzistencën e saj.
Javën që vjen, të mërkurën ajo do të shfaqet për herë të parë për një publik të gjerë, në një instalacion të artistit Ardian Isufi, të titulluar “Antihomazh”, ekspozitë që vjen në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.
Më herët gjatë këtij viti, maska është përmendur edhe në një roman të Bashkim Shehut. “I shtrirë siç ishte, iu bë grimi i duhur, nga grimierja më e mirë e vendit, e cila kujdesej në çdo interval homazhesh për fytyrën e kufomës, ndërsa për kipcin, aktor amator i dorës së dytë apo të tretë, ishte si një ëndërr që fytyrën e tij po e rregullonte kjo grimiere e famshme. Pastaj, me të mbaruar grimi, të dy, edhe kufomën e Enver Hoxhës, edhe kipcin, i mbuluan gjer te gryka me nga një çarçaf të bardhë, që të mbuloheshin kësisoj shenja të ndryshme dalluese të trupave përkatës dhe të bëhej krahasimi vetëm ndërmjet fytyrave”. Romani “Fjalori udhëzues i dosjeve” i Bashkim Shehut, anipse artistikisht e në formë letrare, pa dashur e as pa pretenduar të jetë dëshmi historike, ka dhënë një farë teksti (shpesh ironik) mbi mënyrën si u bë maska.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ardian Isufi, artist i njohur për veprat që marrin shkas nga e shkuara, e njëherësh e ironizojnë atë, prezanton një vepër ku publiku ftohet të bëhet pjesë me ndjesitë dhe mbamendjet e veta.
-Pse një instalacion me maskën e Enver Hoxhës?
Si fillim, duhet të them se ky është një prodhim, një kopje unike. Nuk ka tjetër si kjo. Arkiva e Muzeut Historik Kombëtar ka ruajtur ndër vite, maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, që është një ARTEFAKT shumë interesant për tu shfaqur për herë të parë për publikun në formë instalacioni artistik. Arti bashkëkohor në ditët e sotme ka integruar në vetvete shumë elementë të historisë duke bashkëpunuar shumë fusha të karakterit human dhe duke i ndërthurur me mundësitë e mëdha që të jep për të komunikuar gjuha pamore. Është një instalacion artistik që sjell një sintezë mes elementeve historikë dhe atyre të artit pamor.
– Si do ta prezantoni atë për publikun?
Është një qasje e re konceptuale e marrëdhënies që do ketë çdo individ duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe si shkak-pasojë edhe me historinë e diktaturës. Pra, publiku përmbyll instalacionin që rrugëton fillimisht në një “tunel izolimi” dhe qëndron për pak çaste përballë Enver Hoxhës, duke krijuar një kontakt imagjinar me kohën ne e rivendosim në gjykim eksperiencën tonë përballë izolimit totalitar. Ky kontakt me maskën-portret na shtyn në një kontakt psikologjik ku mimika apo xhestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitatori do të dokumentohet si ANTIHOMAZH me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekje do të jete nëpërmjet një tuneli mental që do të instalohet si labirinth i përroit psikologjik në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar.
– Pse një send i diktaturës, në fakt imazhi i panjohur i ‘udhëheqësit’?
Këtu nis diskutimi im për çështjen e marrëdhënieve që ne duhet të kemi me diktaturën, pra unë do ta marr këtë artefakt, do ta ekspozoj në një instalacion, i cili është një tunel çmendine dhe izolimi. Aty do të duket sikur t’i ballafaqohesh me një fantazmë sepse dashje a padashje, ky është një lloj fantazme sot e kësaj dite tek ne, nga mënyra si ne sillemi me njëri-tjetrin, nga mënyra si ne sillemi me institucionin, nga sjellja jonë e përditshme dhe sjella jonë me historinë dhe sjellja në politikë.
– Çfarë kërkoni t’i jepni publikut përmes “antihomazhit”?
Dua që për pak çaste çdo njeri të vijë dhe të krijojë me të një kontakt emocional, a mbase përtej kësaj. Çdo njeri reagon sipas eksperiencës dhe ndjesive të veta: Dikush e shan, dikush e lavdëron, dikush e sheh pa asnjë lloj ndjesie, por fakti që unë e fus në një labirint çmendine, i jap një lloj ankthi publikut. E orientoj për të parë një ëndërr të keqe, ose një fantazmë, pavarësisht zgjedhjes që bën ai. Vepra ime, nuk ka një përfundim, por është një ngacmim ku përfundimin e jep vetë publiku. Unë, sidomos vitet e fundit këtë karakter i kam dhënë veprës sime, duke e lënë publikun që t’i vërë një fund asaj, t’i japë një përfundim.
Sa kohë ka që e mendoni këtë punë?
Di që kjo nuk është ekspozuar asnjëherë. Ideja e parë ka qenë të ekspozohej në piramidë kur ajo u ndërtua. Por, e lanë për pak kohë dhe më pas sistemi u dobësua, rrodhën ngjarje të tjera, komunizmi ra, dhe ajo nuk u shfaq. Ajo është në muze që prej kohës që sendet e piramidës shkuan në muze.
Për herë të parë me ekzistencën e saj, jam njohur në media, kur një grimiere, dha një intervistë ku shprehej se kishte bërë grimin e Enver Hoxhës kufomë. Ajo shprehej që ekzistonte një maskë. Ky qe momenti kur unë fillova të interesohem dhe ka disa vite në fakt. Tani ia dola.
– Si u bë i mundur realizmi i idesë suaj?
Me ndihmën e Muzeut Historik Kombëtar ka treguar një kujdes të veçantë për ekspozitën dhe unë e falënderoj sepse edhe vetë instalacioni bëhet nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar.
Pra, një bashkëpunim ndërpartiak, megjithëse ju jeni i angazhuar politikisht tek opozita?
Ata kanë parë që është një atraksion shumë i rëndësishëm artistik dhe përtej. Ata nuk kanë parë as majtas e as djathtas dhe ekspozita po bëhet. Në këtë rast ata kanë kreditet maksimale sepse kanë parë vetëm anën artistike. Ka pak njerëz që e kanë ditur ekzistencën e maskës së vdekjes së Enver Hoxhës. Ne duhet t’i shfaqim këto lloj kuriozitetesh që t’i dinë të gjithë dhe që të na shërbejnë për tu emancipuar më shumë.
-Kur e nisni punën në terren për instalacionin?
Instalacioni fillon të martën dhe eventi është të mërkurën në orën 19:00. Do të jetë i çmontueshëm, do jetë pozant, derisa shkon tek ky objekt.
-Në cilën pjesë të muzeut do jetë?
Do jetë brenda në hollin e Muzeut Historik Kombëtar dhe jo rastësisht sepse edhe në inaugurimin që i është bërë muzeut, ka qenë një skulpturë e Enver Hoxhës. Gjithë muzeu lidhet me figurën e tij, sepse e konceptoi sipas interesit të tij politik, ngaqë donte ti bënte jehonë historisë komuniste në mënyrë që t’i shërbente mendimit e interesit të tij.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: