TIRANË

Analisti Arjan Vasjari mendon se 21 janarit i ka rënë baza morale, duke akuzuar maxhorancën për asgjësimin e saj. Duke iu drejtuar kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, Vasjari tha në “Real Story” se ajo ditë mund të zbardhje pas ardhjes së PS në pushtet, por se u kapërcye për pushtetin.

“Unë prezumoj që këtu ne të katër konvergojmë në qëndrimin që mos gjë tjetër 21 janari ishte një tragjedi humane. Besoj këtu biem në një mendje. Më kujtohet se dy ditë në mos tre pas 21 janarit ne kemi qenë në studio bashkë, kam qenë i qartë në pozicionin tim se lëvrinte në atmosferë ideja që ishte një grusht shteti. Unë kam qenë i qartë në qëndrimet e mia. Nuk e fsheh që kam një turbulencë emotive kur bëhet fjalë për katër viktima. Ajo është një fakt të cilin ne nuk e shmangim dot, humanen. Atij 21 janari i ka rënë baza morale së pari, ia keni asgjësuar ju. Ju jeni moralisht që ia keni asgjësuar bazën. 21 janari mund të zbardhej menjëherë pas ardhjes suaj në pushtet. Nuk u bë se ju i hoqët bazën morale. E kapërcyet 21 janarin në emër të pushtetit, në emër të një qeverisje. Ju vendosët të sakrifikonit 21 janarin dhe zgjodhët politikën. Çfarë vendimi ka dhënë Gjykata për zotin Meta, e respektoj ama ngarkesën morale ishit ju që e asgjësuat”, tha Vasjari.

Sa i përket deklaratave disa ditë më parë të ish-komandantit të grupit të zjarrit më 21 janar, Vasjari tha se nuk kanë asnjë vlerë dhe se ai duhet të thoshte kush e kishte dhënë urdhrin.

“Vërtetë ai zotëria, mund t’ju ketë dhënë informacion, por është i paragjykuar. Nuk ka asnjë rol, zero. Prisja të thoshte kemi pasur urdhra nga Ndrea Prendi të qëllojmë. Nëse ai do kishte minimalisht një pendesë të thoshte ky na dha urdhër të qëllonim. Të dilte dhe publikisht të thoshte, ne na dha urdhër të godisnin filanin. Ndërkohë që nuk e bëri.
Vlera e tij do të ishte të thoshte, mua zotëri i dashur më ka ardhur në radio urdhri godisni mbi turmën nga filani. Ai ka detyrimin që nëse merr një urdhër të paligjshëm të thotë emrin. Kush i ka dhënë urdhër të qëllojë dhe nuk e bëri. Ajo mund të zbardhej menjëherë pasi erdhët, ju nuk mund ta bënit, i kishit duart e lidhura”, deklaroi Vasjari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb