TIRANË-Këngëtari i njohur i muzikës rep, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, flet për gazetën “Panorama” nga arratia pas largimit nga Komisariati Nr.3 në Tiranë. Artisti, tashmë i shpallur në kërkim prej më se 24 orësh, thotë se është diku jashtë Shqipërisë dhe se është mirë. Shprehet se i vjen shumë keq për policët e arrestuar dhe të pezulluar pas arratisjes së tij dhe beson se drejtësia do të japë drejtësi për ta.

 

Të shtunën policia lajmëroi zyrtarisht se Arkimed Lushaj është arratisur nga ambientet e Komisariatit Nr.3 në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Këngëtari Arkimed Lushaj ishte ndaluar nga policia duke drejtuar makinën, në orët e

vona të së premtes. Atë natë në darkë ai u shfaq në një program televiziv, por disa orë më vonë përfundoi në polici.

 

Gazeta “Panorama” në komunikimin që pati ditën e djeshme me këngëtarin i drejtoi atij një seri pyetjesh për arrestimin, qëndrimin në komisariat dhe arratisjen, por artisti 27­vjeçar dha përgjigje vetëm për disa prej tyre. Nga

arratia, Stresi e quan të parregullt mënyrën se si ishte arrestuar nga patrulla e Komisariatit Nr.3 me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia fillimisht njoftoi se Stresi ishte kapur duke drejtuar makinën nën efektin e alkoolit, por burime zyrtare të Policisë thanë më vonë se ndalimi i këngëtarit është bërë për një arsye tjetër që lidhet edhe me patentën.
Sipas Policisë, Arkimed Lushaj ishte ndaluar fillimisht për kontroll nga patrulla e policisë, e cila i ka kërkuar dokumentet, si leje e qarkullimit dhe patentë.

Lejen e drejtimit këngëtari nuk ua ka dhënë policëve, të cilët e kanë shoqëruar në komisariat me akuzën e drejtimit të mjetit pa patentë. Në intervistën e dhënë dje për “Panorama”, Stresi pranon se patentën nuk e ka pasur me vete

në momentin e arrestimit nga policia. Këngëtari ditën e djeshme kishte lënë të hapur një numër telefoni zviceran, mesa duket për të mos humbur kontaktet me të afërmit e tij. Në rrëfimin e tij, këngëtari theksoi se vendosi të arratisej

pasi kuptoi se do të mbahej pa të drejtë në burg për tri ditë.
Arratisja e Stresit “furtunë” në polici, arrestohen 3 policë, në hetim 9 të tjerë
“Furtunë” në Policinë e Tiranës pas arratisjes së këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe me emrin Stresi, shkruan sot ‘Gazeta Shqiptare’. Largimi i tij nga ambientet e Komisariatit Nr.3 u ka kushtuar shumë 12 punonjësve të policisë, të cilët janë pezulluar nga detyra. Ministria e Brendshme sqaroi ditën e djeshme përmes një njoftimi për mediat, se pas arratisjes së Stresit nga komisariati i policisë, janë vënë në pranga tre efektivë dhe nëntë të tjerë janë pezulluar nga detyra, të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë, policët me veprimet ose mosveprimet e tyre mbajnë përgjegjësi për largimin e këngëtarit nga ambientet e Komisariatit Nr.3 në kryeqytet. Sipas të dhënave të policisë, policët e arrestuar dhe ata të pezulluar nga detyra mbajnë përgjegjësi, pasi nuk i kanë vënë prangat këngëtarit, ashtu siç parashikojnë rregullat. Ndërkohë, mësohet se gjatë ditës së djeshme, policia ka ushtruar kontrolle në të gjitha banesat ku mendohet se mund të ishte fshehur Stresi, por pa rezultat.

Arratisja

Burime pranë policisë sqarojnë se ditën e shtunë, Stresi është ndaluar nga forcat e policisë rrugore dhe ai ka refuzuar që t’u tregojë atyre dokumentet që i kanë kërkuar. Pas kësaj, efektivët e postbllokut të policisë e kanë shoqëruar pranë ambienteve të Komisariatit Nr.3, pranë rrugës “Mine Peza”, për verifikime të mëtejshme. Gjatë veprimeve të policisë, Stresi ka rezultuar se nuk kishte me vete leje drejtimi, por veç kësaj, ai i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se ishte tej normave të lejuara të drejtimit të mjetit. Pas këtyre rezultateve, agjentët e krimeve të Komisariatit Nr.3 kanë vendosur t’i komunikojnë arrestin në flagrancë për dy vepra penale, atë të drejtimit të mjetit në mënyrë jo të rregullt dhe atë të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Pasi kishin kaluar disa orë nga shoqërimi i këngëtarit në polici, pas mesdrekës, Lusha është shoqëruar nga dhoma e izolimit për në dhomën e oficerit të gatshëm për të firmosur procesverbalin e arrestit në flagrancë. Burime policore sqarojnë se, në momentin që këngëtari ka dalë në korridorin e komisariatit, ka përfituar që nuk ka qenë me pranga dhe pas kësaj ka shtyrë efektivët që e shoqëronin dhe është hedhur nga kati i dytë i komisariatit. Pas kësaj, edhe pse efektivët e kanë ndjekur me vrap, nuk kanë mundur që ta kapin dot Stresin, i cili ka arritur të largohet në rrugicat e rrugës “Mine Peza”. Pas kësaj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka kryer arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë, të cilët janë përgjegjës për largimin e Stresit nga ambientet e komisariatit. Konkretisht në pranga janë vënë; 39-vjeçari Saimir Cinga, me detyrë ndihmës specialist për Linjat Interurbane në njësinë e Qarkullimit Rrugor; 48-vjeçari Bashkim Dybeli, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor; si edhe 46-vjeçari Mark Gjonpalaj, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë. Sipas njoftimit të ministrisë, tre efektivët mbajnë përgjegjësi për largimin e këngëtarit Lushaj nga komisariati, pasi ata nuk kanë arritur që ta ruajnë atë dhe me veprimet e tyre kanë bërë të mundur që ai të largohet nga komisariati. Hetimet vijojnë për 12 efektivët, për të përcaktuar se cila ka qenë përgjegjësia konkrete e gjithsecilit prej tyre, si dhe për të parë nëse ndokush prej tyre ka bashkëpunuar për arratisjen e këngëtarit.
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: