Prokurorët federalë në Nju Jork ngritën akuza ndaj ish-këshilltarit politik të Presidentit Trump, Steve Bannon, se në bashkëpunim me të tjerë, ka kryer mashtrim me dërgim elektronik parash, lidhur me një fushatë për grumbullim fondesh në mbështetje të ndërtimit të një muri kufitar midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë thuhet se ndaj zotit Bannon dhe tre personave të tjerë është ngritur padi “për rolin e tyre në mashtrimin e qindra mijëra donatorëve lidhur me një fushatë për grumbullim fondesh në internet të njohur me emrin ‘Ne ndërtojmë murin’, nga e cila u grumbulluan më shumë se 25 milionë dollarë.”

Inspektori i ngarkuar me çështjen, Philip R. Bartlett tha: “Të pandehurit dyshohet se janë përfshirë në veprimtari mashtruese, pasi kanë paraqitur në dritë të shtrembër përdorimin e vërtetë të fondeve të dhuruara. Siç pretendohet, jo vetëm që ata gënjyen donatorët, por u përpoqën të fshehin shpërdorimin e fondeve, duke krijuar fatura dhe llogari të rreme për të pastruar donacionet dhe për të mbuluar veprimet e tyre kriminale, duke mos treguar respekt për ligjin ose të vërtetën.”

Të katër të pandehurit janë arrestuar.

Steve Bannon, një figurë e njohur e së djathtës politike amerikane, shërbeu si këshilltar fushate dhe më pas këshilltar në Shtëpinë e Bardhë për zotin Trump, i cili e bëri ndërtimin e një muri kufitar një ndër premtimet kryesore të fushatës së vitit 2016.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb