TIRANE– Pezullohet mësuesja që rrahu nxënësin, ndërkohë që ndaj saj ka nisur tashmë edhe një procedim penal. Videoja skandaloze, ku një mësuese shfaqet duke qëlluar me pëllëmbë disa herë një nxënës të 9-vjeçares dhe duke i tërhequr veshin, u publikua nga të gjitha rrjetet sociale, ndërsa të shumta ishin edhe kritikat ndaj sjelljes brutale dhe aspak profesionale të mësueses.

Por pas publikimit të kësaj videoje edhe nga mediat, kanë reaguar institucionet përkatëse. Policia pohoi se pas shqyrtimit të videos ka nisur procedimi penal për mësuesen Suela Pirani, me detyrë në shkollën “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe, e cila akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka dhunuar nxënësin me iniciale E.C. Tashmë mësuesja do të hetohet në gjendje të lirë.

Po kështu ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ka shkruar në Facebook se dhuna në shkollat tona nuk mund të tolerohet ndaj mësuesja është pezulluar nga detyra.

“Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit. Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cenon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. Dhuna nuk ka vend në shkollat tona! Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja”, kështu shkruan ministrja Nikolla.

Ajo ka pohuar se si Ministre e Arsimit dhe Sportit ndihet e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale. “Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video”, tha Nikolla.

Pas verifikimeve të kryera ministrja thotë se është identifikuar mësuesja në video dhe koha se kur ka ndodhur kjo ngjarje. “Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9-vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe”, sqaron ministrja Nikolla.

Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallëzim pranë organeve përkatëse.

Dhjetëra persona kanë shpërndarë në Facebook videon rreth 10 sekonda të gjatë ku mësuesja godet me pëllëmbë një nxënës. Goditjet kanë qenë rreth 4 si dhe një shkulje veshi të shoqëruara me të bërtitura. Mësohet se nxënësi ka bërë zhurmë në klasë dhe mësuesja ka gjetur si zgjidhje shuplakat.

Videoja duket qartë që është realizuar nga një nxënës me celular, i ulur në bangat e fundit të klasës.

Ajo që dëgjohet e dallohet qartë në video është dialekti geg i mësueses që qëllon nxënësin duke e pyetur “ç’është ai muhabet… ” ?

https://www.youtube.com/watch?v=eaSQfCmbnpI

 

(d.b/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: