Ndërsa qeveria e Kryeministrit Aleksis Tsipras ka mbyllur bankat dhe ka imponuar kontrollet e kapitalit, Greqia është më afër se kurrë daljes nga euro. Vendimi i Tsipras për të mbajtur një referendum në mënyrë efektive i dha fund negociatave me zonën euro dhe kreditorët ndërkombëtarë, të paktën për momentin.

Përveç kësaj, kërkesa e minutës së fundit për zgjatjen një-mujore të programit të ndihmës për Greqinë u refuzua unanimisht nga anëtarët e zonës së euros. Nëse Christine Lagarde, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, deklaron zyrtarisht falimentin e Greqisë pas 30 qershorit, Athina do të bashkohet me radhët e shteteve ‘kundravajtëse’, në të njëjtin nivel me Zimbabve, Kubën dhe Somalinë.

Greqia në mënyrë efektive do të zbresë në statusin ekonomik të ‘pariah’ (i një rangu të ulët) në tregjet globale, shoqëruar me statusin e shtetit që i mungon kredibiliteti në skenën diplomatike ndërkombëtare.

Sipas partisë së Tsipras, Syriza, qëllimi i referendumit është ushtrimi i demokracisë. Syriza pretendon se udhëheqësit e eurozonës dhe kreditorët ndërkombëtarë po komplotojnë për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Greqisë. Pra, një referendum është i nevojshëm për të rivendosur vendimmarrjen demokratike të popullit grek. Kjo do ti mundësojë atyre – dhe jo Brukselit- të përcaktojnë të ardhmen e Greqisë.

Ky mesazh bindës nxit bazën e mbështetjes së Syriza dhe 36 për qind e votuesve potencialë grekë që kanë votuar partinë në pushtet. Tsipras ka të ngjarë ta përkufizojë referendumin si një votë për dinjitet kombëtar kundrejt masave shtrënguese. Megjithatë në thelb ai do të vendosë nëse Greqia do të qëndrojë apo jo në Evropë.

Arsyeja themelore për referendumin është se ka dështuar loja pesë mujore e rrezikshme e Tsipras me kreditorët. Në një kohë kur nevojitet më shumë se kurrë udhëheqje e përgjegjshme dhe zgjedhje të vështira, Tsipras ka hequr dorë nga përgjegjësitë duke thirrur një referendum, në fakt duke ia deleguar këto përgjegjësi popullit grek në rrethana ekstreme.

Tsipras po vendos në mënyrë të qartë interesat afatshkurtra të Syriza-s – mbijetesën dhe unitetin e partisë politike – mbi interesat afatgjata kombëtare të Greqisë. Nënshkrimi i marrëveshjes me Evropën rrezikonin fragmentimin e Syriza dhe rënien e qeverisë Tsipras. Fraksioni i vijës së ashpër të majtë Syriza ka kërcënuar në mënyrë të qartë se do të kundërshtojë cdo marrëveshje që synon më shumë masa shtrënguese.

Nëse qeveria e Tsipras do të udhëheqej nga interesi kombëtar, ajo do të kishte hyrë në negociata serioze me kreditorët menjëherë pasi të vinte në pushtet në fund të janarit. Nëse do të ishte e nevojshme, referendumi do të kishte qënë i përshtatshëm nga maji i vitit 2015 – pikërisht përpara afateve përkatëse për pagesat e kreditorëve të qershorit.

(d.b/Reuters/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb