Vetting, News24

Për të vërtetuar që edhe sot e kësaj dite Ahmet Bilalit nuk i është zbardhur vendimi për pronën, Vetting i është drejtuar Gjykatës së Shkodrës.

Por si para 24 muajsh asgjë nuk ka ndryshuar; vendimi fle në dosje duke vonuar drejtësinë dhe mohuar pronën e të moshuarit.

Ahmet Bilali: Me letër në dorë do ta kërkoj deri sa të vdes. Sa erdha nga sekretaria e gjykatës, më informuan se ende nuk është zbardhur akoma vendimi i gjykatës. Arta Llazari ka 2 vite që nuk zbardh vendimin. Pasi më ka gjykuar 13 vite me dokumente që pala tjetër i ka të falsifikuara, që nuk kanë lidhje me mua, më mban akoma. Nuk zbardh vendimi; i sorollat nuk jep përgjigje.”

Ahmet Bilali ka kërkuar tek drejtuesit e gjykatës së shkallës parë Shkodër dhe më pas edhe në Ministrinë e Drejtësisë, që të urdhërojnë gjyqtaren Llazari për të zbardhur vendimin, por deri më sot nuk ka arritur ta marrë. Edhe pse i është drejtuar disa herë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Bilali nuk ka mundur të gjejë zgjidhje.

Sipas avokatit Llangozi: “Afati ligjor është 20 ditor; çdo ditë që kalon është një shkelje ligjore. Në drejtësinë e vjetër, një gjyqtar është marrë i pandehur për mos arsyetimin e një vendimi. Aq agresiv ka qenë ligji deri në vitin 2016.”

Vettingu ka dërguar një kërkesë për informacion Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe në kthim, përgjigje të saj ka sqaruar se:

“Për sa kërkoni, nga verifikimet e kryera, rezulton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, bazuar në ligjin nr. 96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates z. A. Ll., me vendimin nr. 731/3 prot., datë 16.04.2024.”

Avokati zbulon një detaj shumë të rëndësishëm rreth gjyqtares; sipas tij, po mbahet i fshehur shkarkimi i Arta Llazarit më datë 19 shkurt 2025 për shkak të lidhjeve që ajo dyshohet se ka.

“Kësaj gjyqtare i është kërkuar dorëheqje në datë 19 të këtij muaji nga ILD, por me sa kuptohet, shkeljet e rënda të saj duan t’i kalojnë në heshtje,” shprehet avokati.

Gjyqtarja Llazari ka deklaruar zotërimin e 1/3 e pjesës takuese në një apartament të përfituar nga familja e origjinës me anë të privatizimit, kur ishin katër anëtarë në familje. Në vitin 2005, ajo ka deklaruar se prindërit kanë blerë prej vëllait pjesën e tij takuese kundrejt shumës 1 milion lekë, pasi ai është ndarë nga trungu familjar. Por në vitin 2005, gjyqtarja nuk ka deklaruar burimin e parave për blerjen e pjesës së shtëpisë.

Gjithashtu, nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për blerjen e një sipërfaqe toke 1000 m² në fshatin Pulaj të Shkodrës në vitin 2005, kundrejt çmimit 3 milionë lekë. Duke hedhur dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me fshehje, sipas KPP.

Gjyqtarja jetonte në vitin 1990 e në vijim me nënën, baban dhe vëllan, duke mos deklaruar në mënyrë të qartë kontributet e secilit prej katër anëtarëve të familjes; rrjedhimisht as të ardhurat. Në pasurinë e saj janë evidentuar disa transaksione bankare të kryera nga nëna e subjektit në vitet 2008-2009 në vlerën totale 63 mijë euro, që janë investuar për një periudhë kohe në depozita.

Në vitin 2009, vëllai Bledi Llazari ka hapur një kompani me emërtimin Techno Gas. Objekti i kësaj veprimtarie ishte “Ndërtim, projektim, zbatim të ndërtimeve civile, industriale, hidroteknike, turistike, bujqësore, prodhim dhe shpërndarje të energjisë elektrike me anë të ujit, erës, gazit, energjisë diellore,” por më 3.06.2010, kjo kompani pezullohet, duke i lënë vendin një tjetër kompanie.

Bledi Llazari ka në pronësi një tjetër kompani “Kostandini Group” me 75% të aksioneve, ndërsa ortaku tjetër Alfred Mulaj është me 25% të aksioneve.

Kjo kompani është themeluar në vitin 2009. Me objekt “Tregtimi me shumicë e pakicë i artikujve të ndryshëm të konsumit të gjerë industriale, ushqimore, materiale ndërtimi, pajisje elektroshtepiake e hidrosanitare, makineri e pajisje të ndryshme.”

Në total, nëpërmjet kësaj kompanie në Gjykatën e rrethit Shkodër, prokurorinë e rrethit Shkodër, Bashkinë etj, Kostandini Group ka përfituar për periudhën 2019-2025 nga tenderat më shumë se 100 milion lekë. Tenderat janë marrë nga institucioni i gjykatës, ku e motra punonte dhe vazhdon të punojë si gjyqtare.

Gjyqtarja dhe avokati në një udhëtim jashtë vendit; a përbën konflikt interesi?

Vettingu ka zbuluar se në vitin 2016 gjyqtarja Arta Llazari ka udhëtuar jashtë vendit me avokatin e Shkodrës Elvis Alivoda, në një grup shoqëror. Katër vite më pas, Llazari dhe Alivoda kanë qenë pjesë e gjykimit të një vrasjeje shumë të bujshme në qytetin verior me pasojë vrasjen e një 23 vjeçari, Gledis Krajës. I ndjeri ka qenë ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë. Autori i krimit është përfaqësuar nga avokati Elvis Alivoda, që ka qenë në udhëtim me gjyqtaren Llazari. Edhe pse në konflikt interesi, gjyqtarja nuk ka dhënë dorëheqjen nga çështja, por ka vijuar gjykimin në konflikt interesi.

Bilali nga Shkodra nuk është i vetmi; Vettingu do të sjellë vazhdimin e kalvarit të Sefedin Shefa, i cili ka denoncuar edhe më herët në Vetting, por ende vijojnë të kryhen padrejtësi ndaj tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb