Vetting

Ahmet Bilali, 76 vjeç, ka jetuar gjithë jetën në Shkodër. Pas shumë vitesh përpjekjesh dhe betejash ligjore, ku është gjykuar me dokumente të falsifikuara, 76-vjeçari përballet me një realitet edhe më të tmerrshëm: kërcënimet për jetën. I frikësuar dhe i braktisur nga institucioni që duhet ta mbrojë, Ahmeti kërkon drejtësi, por e gjen veten të bllokuar, pasi atij nuk i zbardhen vendimet për të cilat ka pritur për më shumë se dy vjet.

Ahmet Bilali shprehet për Vetting se ndihet i kërcënuar: “Kërcënohem me vrasje; kërcënohem se nuk funksionon shteti—Tashi, të lutem, mos më fut me emra se vijnë më vrasin në shtëpi unë.”

Sipas avokatit Arben Llangozi: “Qytetarët vuajnë për të marrë një vendim të arsyeshëm; nuk kemi vetëm një rast, por kemi shumë raste të paarsyetuara.”

Pasuri me letra, e certifikuar, por asnjë centimetër katror ai nuk mundet ta mbjellë, të paktën jo deri tani. Toka e tij, e cila duhet të ishte një mundësi për të ndihmuar veten dhe familjen e tij, ka mbetur thjesht një copë dokument që nuk e ushqen dot. Denoncuesi Ahmet Bilali shprehet: “Agjencia e kthimit të pronës më ka kthyer disa prona të trashëguara. I kam të certifikuar, të hipotekuar, dhe nuk i gëzoj pronat; nuk më lënë me e gëzuar.” Pala tjetër që pretendon pronën, sipas denoncuesit, nuk ka dokumentat përkatëse, duke ndërtuar dhe gëzuar aktualisht mundin e dikujt tjetër.

Ahmet Bilali vijon: “Si ka mundësi, si mund të ndodhi reforma agrarë të përdoret në vitin 1946, të përdoret në gjykatë dhe prokurori; si mund të ndodhë që 2 kryetarë gjykatash ja kanë hedhur poshtë 3 herë. Është e jemja, thonë më jepni një dokument që keni. Jam i certifikuar dhe s’ma lënë të gëzoj pronën; kanë pasur edhe kurajon të më çojnë në gjyq me një dokument të falsifikuar të reformës agrarë 1946, që është i falsifikuar.”

Avokati Arben Llangozi sqaron për Vetting se: “Bëhet fjalë që kemi të bëjmë me kalim pronësie me ligj, por nëse i kanë kaluar më parë një personi tjetër, kemi një shprehje që përdorim në drejtësi; nuk mund të kalojë e drejta e pronësisë kur i ka kaluar një personi tjetër. Rrjedhimisht, dokumenti i reformës agrarë është i pavlefshëm.” I moshuari është lodhur nga 13 vjet betejë e pafundme ligjore për të rikthyer një pronë që e ka të trashëguar dhe me certifikatë pronësie.

Myrshit Vorpsi, kryetari i shoqatës Pronësi në Drejtësi, shprehet: “Gjithë kjo kohë e gjatë ka shërbyer vetëm për një gjë: që pronarët të degdisen në gjykata, ku sot një proces gjyqësor të kalojë 3 shkallët e gjyqësorit që vendim përfundimtar quhej vendimi i gjykatës së lartë. Sot, që ne flasim me këtë ecuri, të kalojë shkallët e gjyqësorit do minimalisht 15 vjet.” Pas shumë vitesh agoni, në fund, një dritë shprese ka ndriçuar në fund të tunelit: një vendim gjykate që ia kthen pronën. Por kjo dritë, duket se është thjesht një iluzion, sepse vendimi është mbyllur prej dy vitesh në sirtarin e gjykatës, aty ku duket se i shërben më shumë pluhurit sesa drejtësisë. Të gjithë prisnin një ringjallje të drejtësisë, por për Ahmetin, ky është një tjetër kapitull i pafund i pasigurisë, ku pas çdo dritë, një errësirë e re ndjek pas.

76-vjeçari Bilali sqaron se: “Gjykata ka marrë vendim për të më liruar sendin; ka dy vjet që nuk e zbardh vendimin gjyqtarja. Se ju ka fshehur vjedhjen.” Bilali denoncon gjyqtaren Arta Llazari, e cila e ka mbajtur në gjyq për 10 vjet, kur prona e tij është me hipotekë. Gjyqi është zhvilluar mbi një dokument të Reformës Agrare të falsifikuar. Pas 10 vjetësh, gjyqtarja i jep të drejtë Ahmet Bilalit, por sërish vazhdon ta mbajë peng, duke mos zbardhur vendimin prej 2 vitesh nga marrja e vendimit. “Në qytetin e Shkodrës është një gjyqtare, Arta Llazari, ka mbi 100 çështje që nuk cakton data; kam një çështje që bën 5 vite që nuk ka caktuar datën. Këto shkelje ka qenë edhe më parë, por sistemi i drejtësisë nuk i ka evidentuar, duke kaluar pa u vënë re,” sqaron avokati Llangozi.

Një drejtësi e vonuar që po lodh në çdo qelizë këtë të moshuar që nuk kërkon asgjë tjetër veç se pronën e trashëguar nga gjyshi i tij. Ahmet Bilali: “Të gjithë këta e dinë që është toka ime e blerë me napolona ari.” Por edhe pse me një certifikatë të dhënë nga Kadasta e Shkodrës, sot AShk, që në vitin 2010, ai vetëm sa e posedon atë si dokument, ndërsa prona vazhdon t’i mbahet “peng” në mënyrë të kundraligjshme nga fqinjët e tij, ndërsa institucionet në të cilat ka trokitur nuk e kanë mbështetur 76-vjeçarin. Sipas kryetarit të shoqatës Pronësi në Drejtësi,

Myrshit Vorpsi: “Po luhet me jetën e pronarëve në mënyrë që shteti mos të bëjë asgjë.” Duke e valvitur në dorë me krenari dhe mllef të thellë. Pas kaq shumë vitesh mundimesh, ky dokument që e merr në duar si një simbol të drejtësisë që nuk ka ardhur kurrë, duket se do t’i kujtojë shtetit se ende është duke pritur pronën.

Ahmet Bilali: “Kjo është certifikata që më ka kthyer shteti shqiptar; nuk e gëzoj këtë pronë që ka 4 vjet.” 76-vjeçari ka tentuar ta shfrytëzojë atë tokë, por për shkak të konfliktit dhe tensioneve që e kanë shoqëruar atë, askush nuk guxon të afrohet në këtë zonë të nxehtë. Ndërsa ai përpiqet të bëjë të mundur përdorimin e tokës së tij, e gjen veten pa mbështetje. Askush nuk afrohet për të punuar parcelën. Bilali shton: “Ma sill një traktorist; nuk të lejnë; kanë hequr shtyllat; vetëgjyqësia.”

Ahmeti, i cili ka shpenzuar vite të tëra duke tundur çdo derë të mundshme, nuk ka lënë asnjë institucion pa e informuar, pa ia bërë të ditur vuajtjet e tij dhe pa i kërkuar drejtësi. Me çdo hap që ka bërë, ka lëvizur një gur të rëndë për t’i vënë të gjithë të dijen se prona e tij është e grabitur. Ka dërguar ankesat, ka kërkuar ndihmën, por ende nuk ka gjetur asnjë shenjë shprese. Dhe ndërkohë, ajo çka merr, është heshtje. Ahmet Bilali: “Kam kallëzuar mafien zyrtare të tokave; të gjitha pushohen.” Dhe në vend që prokuroria që këtë person, Nush Hotaj, e kam kallëzuar, prokuroria e ka pushuar çështjen. Blerta Hamza, prokuroria që ka marrë përsipër të legalizojë vjedhjen.

Me ironi dhe zhgënjim, i moshuari habitet se si mund ta trajtojnë këtë çështje si një temë që ndodh një herë në një shekull, pasi e gjithë kjo, siç ai thotë, ka ndodhur nën zyrën e prokurorëve dhe të policëve. Sipas tij, “Prokuroria është kthyer në një zyrë servili për mafien e tokave.” Ai ka kërkuar ndihmën e grupeve të ndryshme të medias për të dhënë jehonë historisë së tij të trishtë, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Edhe pse ka pasur një zgjim për të rikuperuar pronat e grabitura, për shumë, ndihma e shtetit mbetet vetëm një premtim bosh. Me të kaluar dy vjet, kur bota është në të njëjtin hapësirë, Ahmet Bilali nuk do të dorëzohet dhe vazhdon të kërkojë drejtësi, edhe pse ajo është ende shumë e largët për të. Por, nëse nuk e ka përfunduar asnjëherë luftën e tij, për shumë të tjerë, ajo që ai përfaqëson është një simbol i betejave të humbura.

Ahmet Bilali: “Të gjitha çështjet u mbështetën pas kësaj. Çdo pronë që është e grabitur është përgjegjësia e çdo institucioni, dhe ajo që do të ndodhë është vetëm një dështim i sistemit.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb