TIRANE- Gazetari investigativ i News 24, Artan Hoxha ka risjellë në vëmendje historinë e Dritan Rexhepit, shqiptarit të cilësuar si mbretin e arratisjeve, i cili së fundmi është kapur në Ekuador me 278 kg kokainë.

I ftuar në emisionin “Kapital” në “Vizion Plus”, Hoxha tha se ndonëse në Shqipëri flitet ende për kanabisin, kriminalët shqiptarë e kanë tejkaluar atë, kanë shkuar të merren me kokainën në burim.

“Një nga grupet, një nga emrat më të mëdhenj të krimit në Shqipëri është i arrestuar dhe i burgosur në Ekuador. Kërkohet të paktën në gjysmën e vendeve të Europës. Ai është në burg dhe madje arratisjet e tij janë spektakolare. Dritan Rexhepi nga Vlora është një emër që është kapur me një operacion të madh të Interpolit atje. Është kapur me një grup personash, janë kapur 278 kg kokainë. Sot ke shqiptarë që kanë vajtur dhe merren me kokaikën në burim, pra nëse ne merremi me kanabisin këtu, ti ke shqiptarë që merren me kokainën në burim, nuk merren më me rrugët”,- sqaroi Hoxha.

Sipas tij, Rexhepi, ka shkuar atje që të maksimalizojë fitimin. “Sa më shumë grupet tona marrin eksperiencë, mësojnë, shikojnë, dëmtohen aq më tepër ato e perfeksionojnë mënyrën e tyre. Prandaj dhe grupet tona janë bërë shqetësim sot në Europë. Grupet tona e kanë zanafillën që para 20-të vitesh”, tha Hoxha.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: