Fatmira Nikolli
Projektligji për “Trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike”, ka ngritur debat mes artistëve e Ministrisë së Kulturës. Pas një peticioni të firmosur nga 85 prej tyre, ku kërkojnë status artisti së pari, të premten, ata ishin në një takim me përfaqësuesit e ministrisë.
Thembra e Akilit qëndron te kriteret, që mund të nxjerrin në një lloj pensioni të parakohshëm artistët në moshën 47-vjeçare, çka shkakton pasiguri për vendin e punës dhe karrierën e artistëve të njohur. Edhe të rinjtë ishin kundër idesë së lëvizjes së të vjetërve për të liruar vende, ndërsa projektligji parashikon deri në 70% të pagës si trajtim financiar. Ndërsa në një anë ka të rinj të papunë dhe artistë të njohur që i janë afruar kriterit 47-vjeç, si në Opera, edhe në Cirk, ideja fillestare ishte që, artistët që nuk kanë arritur në moshë pensioni, por nuk munden të performojnë për shkak të zhanrit ku punojnë, do të trajtohen financiarisht nga shteti. Por kjo pjesë e projektligjit, ka lënë vend për ekuivoke, mbi mënyrën se si vendoset mundësia e performimit, a pyetet artisti për lëvizjen, sikundër, ka ngritur shqetësime se mund të përdoret edhe për të larguar nga skena, artistë që nuk duan të largohen prej saj.
Kërkesa e përjetshme e artistëve për një status, që mbron jo vetëm ata të punësuarit në institucione publike, por edhe ata të skenës së pavarur, duke se mbetet ende ne sirtarët e së ardhmes, ndërsa zëvendësministrja Lira Pipa tha se projektligji është vetëm një draft që pret konsultimet.
Para takimit, artistët janë gjendur të papërgatitur për draftin, pasi nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve dhe e kanë mësuar nga media lajmin e projektligjit. Ata kanë kërkuar reflektimin e shqetësimeve dhe kërkesave të tyre teksa e ardhmja mbetet për t’u parë.
