Pas mbështetjes së kryedemokratit Lulzim Basha një pjesë e artisteve të Teatrit Kombëtar kanë qene sot në një takim ku morën edhe përkrahjen e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Veprimet e tyre përkojnë me strategjinë tonë për të mos shkatërruar teatrin, por edhe artin në përgjithësi”,- tha kryetarja e LSI-së, duke shtuar se gjëja më e kee që mund t’i bëhet një kombi është t’i shkatërrosh artin dhe kulturën.

Nga ana e tyre artistët që kundërshtojnë projektin e ri për TK, thanë se kryeministri ka për qëllim të zaptojë tokën rreth teatrit e të ngrejë aty kullën. Duke i konsideruar të mjerueshme kushtet që punojnë, artistët thanë se edhe krahasuar me vendet e rajonit, p.sh. Maqedoninë, Shqipëria ka një buxhet katër herë më të vogël për Kulturën.

Artistët u shprehën gjithashtu se ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro iu ka mbyllur derën, ndërsa nuk kanë denjuar t’i shkruajnë kryeministrit. Ata thonë se ai mban përgjegjësi direkte për gjendjen ku ndodhen sot artistët, pasi ka abuzuar në kohën që ishte ministër Kulture.

“Në kërkojmë që të ketë hetim parlamentar për abuzime të ish-ministrit të Kulturës, aktualisht kryeministri Edi Rama. Po flasim për abuzime, është një histori e pazbardhur. Nëse do ketë drejtësi të plotë Edi Rama do ketë shumë punë me drejtësinë”,- thanë artistët.


Prononcimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi pas takimit me aktorët

Duke pasur parasysh, strategjia ose plani kombëtar që ka Edi Rama jo vetëm për zhbërjen e çdo sistemi por për zhbërjen e artit. Unë nuk mund të them që kam meritë në të gjithë historinë e artit shqiptar por aq sa mundem, jam dashamirëse e ndjek atë dhe do të dëshiroja që edhe fëmijët e mi ta kishin akoma më shumë këtë dashuri dhe këtë respekt. Jemi rritur me filma shqiptar, jemi rritur me teatrin shqiptar, kemi qenë foshnje kur kemi shkuar në teatrin e kukullave dhe kur kemi shkuar në cirkun shqiptar dhe dashje pa dashje ka ndikuar në ndërgjegjen tonë kombëtare. Arti kultura dhe trashëgimia jonë kulturore janë vlera të cilat lënë pas politikën. E lënë jo jë hap po qindra mijëra hapa pas, këtë politikë që në këto 27 vite tranizicion ka prodhuar vetëm konflikt. Por iniciativa e frikshme dhe e çmendur e qeverisë aktuale për zhbërjen e artit dhe për shkrirjen e saj apo për ta kthyer artin tonë kombëtar në një PPP, është një tradhëti kombëtare. Nuk dua ta ekzagjeroj por gjëja më e tmerrshme që mund ti bësh një kombi është ti shkatërrosh kulturën, artin, historinë, dhe çdo fjalë e imja është shumë e tepërt në atë bashkëbisedim që patëm me miqtë tanë dhe nuk më mbetet gjë tjetër jo vetëm në emër të LSI-së por edhe të qytetarëve, mua më kanë në rresht të parë në momentin e ardhjes së ruspave për të prishur teatrin kombëtar. Atë teatër që për hir të së vërtetës e ndërtoi Italia fashiste por regjimi fashist që çdo ditë e më shumë po instalohet kërkon ta prishi. Ajo çka është më e rëndësishme është ndërgjegjësimi ynë sidomos i brezit të ri, për të kuptuar që ky teatër ka vlera. Është një nga fushat që subvencionohet më pak nga të gjitha dhe një nga fushat e jetës që diskriminohet më shumë nga të gjitha por ajo çka dua të them është që ne jemi të revoltuar sepse sot jemi politikanë nesër do të jemi qytetarë si gjithë të tjerët, do të jemi teleshikues të filmave që çdo ditë dhe më shumë po jepen më pak filma shqiptar për shkak të mungesës së investimit. Do të jemi spektator të Teatrit dhe do të jemi si qytetar nuk do të jemi si politikanë por nëse ne nuk do të kemi vendin ku do ta shikojmë dhe shijojmë Teatrin do të jetë shumë e pamundur. Kështu që nuk më mbetet gjë tjetër, ne si LSI, prandaj kemi dhe z.Luan Rama, Petrit Vasili, Nora Malaj dhe Kejdin që kanë qenë anëtare të komisionit dhe diskutimit të ligjit. Jemi hap pas hapi me artistët dhe jo vetëm për mos shembjen e teatrit por edhe për ligjin e domosdoshëm. Edhe për rritjen e buxhetit për artin dhe kulturën që janë shumë të domosdoshëm dhe ajo çka është më e rëndësishmja është që ne ndihemi pjesë e artit sado pak me atë naivitetin tonë duam të jemi pjesë e luftës së tyre dhe në çdo moment ne na kanë pjesë të saj. Çdo fjalë e tepërt do të kthehej në fukarallëk mendoj se veprimi i strategjisë sonë për të mos e lejuar këtë shkatërrim të artit kulturës dhe të asaj historie që mbi të gjitha ajo na ka mbajtur në arenën europiane dhe botërore pra kultura dhe arti. Sepse shqiptarët nuk krenohen me politikën tonë, shqiptarët janë krenuar me artistët tanë me artin me kulturën me traditën dhe kjo politikë edhe me këtë pak vlerë me të cilën ne krenohemi jashtë kufijve të Shqipërisë kërkon që ta prishi kështu që na keni në krahë jemi me ju dhe jemi të gatshëm për çdo gjë që ju e keni të nevojshme.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb