Tensionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut duket se janë rikthyer në fokus pas shfaqjes së mesazheve me përmbajtje anti-shqiptare, vetëm pak ditë pas protestës së studentëve që kërkonin zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi nga qendra sportive “Forca” në Shkup, ku është shkruar një slogan me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve: “As në tokë, as në qiell, vend për shqiptarë nuk ka”.

Pamja është shpërndarë gjerësisht edhe nga figura politike dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar reagim dhe ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, deri tani nuk është raportuar asnjë reagim zyrtar nga autoritetet.

Incidenti vjen në një periudhë kur janë shtuar rastet e retorikës anti-shqiptare në vend. Edhe më herët, gjatë një aktiviteti sportiv, nga tifozë maqedonas u dëgjuan kore dhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, duke nxitur reagime dhe shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb