POGRADEC– Nga Pogradeci ku kanë prezantuar Diana Milen, kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Evropiane për këtë qytet, Edi Rama dhe Ilir Meta janë shprehur se PD nuk kërkon votën e qytetarëve për të ofruar më shumë shërbime për qytetarët, por për të përdorur bashkitë kundër qeverisë. Kreu i qeverisë theksoi se këto zgjedhje nuk janë për partitë e për qeverinë, por janë për qytetarët, dhe për të ofruar sa më shumë shërbime.

“PD bën sikur shqetësohet për demokracinë. Por votat nuk i do për të ofruar shërbime për qytetarët, por për të penguar qeverinë. Kjo nuk është një fushatë për qeverinë, por për mënyrën sesi do ndihen qytetarët në 4 vitet e ardhshme. Si dhe për çfarë investimi do bëjnë familjet shqiptare nëpërmjet votës së tyre, për të ardhmen. Ky vend ka një nevojë shumë të madhe për të pasur sa më shumë gra dhe vajza në vendimmarrje, në këshillat bashkiakë, etj. për të ndritur zëri për problemet e tyre, dhe për të gjetur zgjidhje për këto. Synojmë të kemi 50 % gra në këshillat bashkiakë”, tha Rama.

Edhe kreu i LSI, Ilir Meta është ndalur edhe fushata elektorale e PD, duke u shprehur se kjo parti nuk kërkon votat e qytetarëve për të ofruar më shumë shërbime, por për të penguar punën e qeverisë.

RAMA: NË 2 VITET E PARA TË MANDATIT TË MILES PËRFUNDON PROJEKTI I UNAZËS SË POGRADECIT
Kryeministri Rama është ndalur tek projektet në qytetin e Pogradecit. Ndërsa ka përmendur investimet e munguara sipas tij në këtë qytet, Rama tha se 2 vitet e para të mandatit të Diana Miles do të përfundojë unaza e qytetit.

“Do të nisim projekt për shëtitoren më të gjatë në Shqipërinë. Projekti ynë i rilindjes urbane synon rilindjen e shpresës dhje besimit në çdo komunitet duke rilindur qytetet. Me reformën e re sot qytetet janë qendra e bashkisë së re ku përfshihen të gjitha komunat rreth e rrotull, dhe kjo e bën të domosdoshëm vijimin e këtij programi dhe thellimin e këtij projekti. Brenda 2 viteve të para të mandatit të Dianës, unaza e Pogradecit do të jetë e përfunduar, dhe do të jetë njësoj më standardet e rrugës hyrëse. Të ndalemi tek rruga Qukës –Qafë Plloçë. I jep mundësi zhvillimi zonave përreth. Na u deshën 8 muaj për ta parë projektin me kujdes. Një projekt që më shumë do të sillte shkatërrim sesa zhvillim. Edhe Saliu kudo ku vuri dorë më shumë prishi sesa ndërtoi. Do të realizohet vepra në 4 vite”, tha Rama.

META: MË SHUMË INVESTIME PËR QYTETIN, REFORMA TERRITORIALE SJELL MË SHUMË SHËRBIME
I pranishëm në këtë takim me qytetarët e Pogradecit, kreu i LSI Ilir Meta u ndal tek reforma territoriale, të cilët e ka cilësuar shumë të rëndësishme për të ofruar sa më shumë shërbime ndaj qytetarëve. Duke shprehur mbështetjen për kandidaturën e Diana Miles, kreu i LSI tha se parashikohet realizimi i projekteve dhe investimeve me rëndësi që do t’i japin një pamje të re qytetit të Pogradecit.

Më tej kreu i LSI, është ndalur edhe fushata elektorale e PD, duke u shprehur se kjo parti nuk kërkon votat e qytetarëve për të ofruar më shumë shërbime, por për të penguar punën e qeverisë.

DIANA MILE: DO TË PUNOJMË QË TË KEMI TURIZËM NË 4 STINËT
Kandidatja e ASHE për bashkinë e Pogradecit është ndalur tek investimet që parashikohen për këtë qytet në 4 vitet e ardhshme. Mile tha se synohet përmirësimi i cilësisë së turizmit dhe qytetin e Pogradecit, dhe fokusimi tek resurset e pashfrytëzuara.

“Do të punojmë që të kemi turizëm në 4 stinët, dhe Pogradeci të ketë sa më shumë zhvillim. Synojmë që Pogradeci të jetë një qendër e rëndësishme rajonale. në fokusin tonë do të jenë edhe resurset e pashfrytëzuara deri më tani. Mezi po pres që të zbatoj projektet e ideuara dhe të diskutuara. Jam e bindur që qytetarët do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Mile.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb