Korça gumëzhin nga zhurma e njerëzve dhe muzikës.

Jo më kot, këto ditë atje po mbahet festa e Birrës, aq e dashur për shqiptarët, por jo vetëm. Birrat Korça dhe Tirana, me nga 12 stenda secila, janë vendosur në dy pikat kryesore të qytetit, Terminalin e Ri dhe Pazarin, ku dhe do të mbahen dy koncertet paralele. Gazetarja Lorena Kodra, tregoi për “BalkanWeb”, situatën festive në pazarin e famshëm të qytetit juglindor.

Sipas saj, turistët dhe adhuruesit e kësaj feste nga e gjithë Shqipëria janë të shumtë. Sakaq, burime nga policia, bënë të ditur për gazetaren se në aksin nacional ka trafik të rënduar. Kjo për shkak se shumë makina nga kryeqyteti, por jo vetëm, janë drejtuar për në Korçën “magjike” këto ditë.

“Në të gjitha netët pjesëmarrja ka qenë e madhe. Ka pasur shumë qytetarë nga Shqipëria dhe shtete të ndryshme të botës. Deri në këto momente qyteti i Korçës është tejmbushur nga turistët vendas e të huaj. Ka shumë turistë besnikë të kësaj feste. Kemi pasur komunikim me shumë turistë që janë rikthyer për të disatën herë.

I pëlqen festa, birra, qyteti, e kanë ardhur të kënaqur. ka dhe qytetarë të tjerë nga qytetet e Shqipërisë që e vizitojnë Korçën gjithmonë e që kulmon me festën e birrës.

Sot edhe nesër pjesëmarrja do të jetë edhe më masive. Para se të futesha live kam pasur komunikim me policinë rrugore dhe më ka bërë me dije që aksi nacional ka trafik të shtuar.

Sot edhe nesër janë dy netët e fundit, është edhe fundjavë e kjo ka bërë që turistët të jenë të shumtë. Vëllezërit korçarë do të performojnë. Ndërkohë që siç shihet nga pamjet pazari po mbushet nga turistët dhe skena do të jetë gati për të performuar”, u shpreh Lorena Kodra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb