Ditën e sotme në rubrikën “Opinion” në News24, ishte i ftuar gazetari, Nder i Kombit, Ferdinand Samarxhi, i cili foli dhe tregoi detaje nga vizita historike e Baba Mondit në Rumani.

Ai tha se në datat 24-28 qershor,  kreu një vizitë Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj nga Kryegjyshata Botërorë e Bektashinjve, në Nukuresht, me ftesën e deputetit të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan-Alin Stoica dhe të Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë.

“Kryegjygjyshi shkoi në Rumani me ftesën e deputetit të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan-Alin Stoica dhe të Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR). Nga ana e shoqatës Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj u prit dhe u shoqërua në takimet shumë të rëndësishme në Bukuresht nga drejtuesit e saj: deputeti Stoica, nga Dr. Luan Topçiu dhe nga drejtori ekzekutiv Radu Savulescu.

Udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve u prit nga Kisha Luterane: Peshkopi vikar Daniel Zikeli

Nga  Kisha Ortodokse Rumune: Peshkop-vikar patriarkal PS Varlaam Ploieșteanu nga Kisha Romano-Katolike: Arkiepeshkop mitropolit i Bukureshtit Mons. Aurel Percă nga komuniteti turk: deputeti Iusein Ibram nga Kulti musulman: myftiu Murat Iusuf nga Parlamenti i Romanisë: zv/kryetari i Dhomës së deputetëve Vasile-Daniel Suciu nga Lideri i Grupit të pakicave kombëtare Varujan Pambuccian, nga Komunitetit i hebrenjve të Rumanisë deputeti Silviu Vexler njëkohësisht dhe kryetar i Federatës së Komuniteteve hebraike të Rumanisë nga prifti Vasile Ioana i Kishës Ortodokse të Shën Kollit në Bukuresht, e njohur ndryshe si kisha e Shqiptarëve apo si kisha ku ka kryer shërbesën në gjuhën shqipe hirësia e tij Fan S. Noli.

Në programin e vizitës së Kryegjyshit Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ishin dhe disa objektiva me karakter kombëtar si busti i poetit kombëtar Naim Frashëri në parkun Herastrau në Bukuresht, busti i patriotit të madh dhe intelektualit Ibrahim Themo në qytetin e Medgidia-s, busti i Ismail Qemalit, kryeministri i parë i shtetit shqiptar, para hotelit Continental,  vizitë në Kishën Protestante Luterane në Bukuresht ku ndodhet dhe varri i Princ Vidit (Princi Vilhelm Vidi ishte princ gjerman i Shqipërisë për 6 muaj në vitin 1914 i cili mbretëroi nga 7 marsi 1914 deri më 3 shtator 1914.) etj.

Vizita historike ka për qëllim të forcojë më tej dialogun ndërfetar në një kohë që bota po përballet konflikte të dhunshme. Kjo vizitë fuqizon dialogun fetar mes religjioneve dhe mbështet paqen në botë.

Në Patriarkanën e Rumanisë

Në Patriarkanën e Rumanisë nga ana e Kishës Ortodokse Rumune delegacioni drejtuar nga Baba Mondi u prit nga Peshkop-vikar patriarkal PS Varlaam Ploieșteanu. Dy krerët e besimeve folën për harmoninë dhe bashkëpunimin midis komuniteteve fetare në Shqipëri dhe Rumani, për rolin e pazvendësueshëm të besimit në një botë të trazuar dhe të mbushur me kriza të të gjitha llojeve. Ata vunë theksin në bisedën e tyre në forcimin e besimit, në forcimin e familjes, të një sistemi vlerash që promovojnë besimet fetare. U theksua gjithashtu roli i domosdoshëm i dialogut ndërfetar. Shumë nga problemet dhe sfidat e botës së sotme kërkojnë zgjidhje, ndaj roli i komunikimit dhe i një dialogu të gjallë janë vitalë. Vetëm kështu do të ndërtojmë një botë më të mirë, do të kontribojmë për paqen, tolerancën, respektin për njëri-tjetrin. Baba Mondi falenderoi udhëheqësin e lartë të Kishës Ortodokse Rumune, si kisha më e madhe e Rumanisë, për ndihmën që ka ofruar Rumania dhe populli vëlla rumun gjatë gjithë historisë. Veçanërisht Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj u ndal në ndihmesën e Rumanisë në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, ku poeti ynë kombëtar Naim Frashëri dhe dijetari i madh Sami Frashëri do të botonin veprat e tyre në Bukuresht. Ai theksoi për lidhjen e fortë të fesë bektashiane me kombin dhe ndihmesën e besimtarëve bektashinj në historinë e Shqipërisë: “Pa atdhe nuk ka fe”- u shpreh ai. Ishte pikërisht Rumania vendi mik ku u botuan abetaret e para, tekstet shkollore dhe nga ardhën mësuesit e gjuhës shqipe. Ishte Rumania dhe komuniteti i shqiptarëve të Rumanisë, veçanërisht roli i mjekut, politikanit dhe patriotit Ibrahim Themo, që do të priste Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin në hotelin Continental në Bukuresht para shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

Vizitë në Kishën Protestante Luterane në Bukuresht tek varri i Princ Vidit

Baba Mondi u prit nga Peshkopi vikar Daniel Zikeli i Kishës Protestante Luterane në Bukuresht ku ndodhet dhe varri i Princ Vidit.

Në takimin me Peshkopi vikar Daniel Zikeli u fol për vendin që ze kisha protestante luteriane në Rumani dhe rolin e Oborrit Mbretëror në ndërtimin e kësaj kishe. Pasi Karl Eitel von Hohenzollern-Sigmaringen u bë sundimtar në Principatat e Bashkuara të Moldavisë dhe Vllahisë, më vonë Mbret i Rumanisë nën emrin Carol I i Rumanisë, komuniteti ungjillor-luteran gëzoi mbështetjen e Shtëpisë Mbretërore të Hohenzollern-Sigmaringen, veçanërisht nga ana e mbretëreshës Elizabeth (Carmen Sylva), e cila i takonte këtij besimi. Ai foli gjithashtu për lidhjen e kësaj kishe me shqiptarët, sepse princi (Princi Vilhelm Vidi ishte princ gjerman i Shqipërisë për 6 muaj në vitin 1914 i cili mbretëroi nga 7 marsi 1914 deri më 3 shtator 1914.) dhe duke qenë nipi i Mbretëreshës së Rumanisë u varros në këtë kishë.

Baba Mondi foli për harmoninë ndërfetare në Shqipëri dhe se feja rotestante është një fe zyrtare e respektuar në Shqipëri. Ai çmoi pritjen nga ana e Peshkopit vikar dhe veçanërisht për faktin që mundi të vizitojë së bashku me delegacionin që e shoqëronte vendin ku prehet Princ Vidi.

Vizita në Babadag

Në datën 26 qershor Baba Mondi vizitoi qytezën e Babadag-ut, e ndodhur vetëm disa kilometra nga Delta e Danubit. Babdagu ishte pika e rëndësishme e pelinginazhit të udhëheqësit shpirtëror të bektashinjve. Pasi u prit nga Myftiu Murat Isuf dhe deputeti përfaqësues i pakicës turke në Rumani. Z. Iusein Ibram pranë xhamisë së Gazi Ali Pashës, delegacioni nga Shqipëria i drejtuar nga Baba Mondi vizitoi tyrben e mistikut Sari Saltuk Baba, i cili jetoi midis viteve 1199-1298. Sari Saltuk u dërgua në Anadoll dhe më pas në Dobrogea, së bashku me 700 ushtarë Horasan, për të përhapur fenë islame bektashi në Ballkan.

Në mënyrë mistike, veçanërisht në mënyrat e tolerancës dhe devotshmërisë të përhapura nga urdhri mistik bektashi, Sari Saltuk ndikoi te jomuslimanët dhe kontribuoi shumë në përhapjen e fesë në Ballkan.

Vizitë në Kishën Shqiptare të Bukureshtit Shën Kolli Dint-o zi

Kisha Biserica Sfantul Nicolae Dintr-o Zi, e ndodhur në qendër të Bukureshtit nga viti 1911 deri në 1947, i ka shërbyer komunitetit Ortodoks Shqiptar në Bukuresht. Kisha njihet dhe si “kisha shqiptare”, vend i shenjtë ku Fan Noli do të kryente shërbesat në gjuhën shqipe. Baba Mondi u prit nga prifti i kësaj kishe Vasile Ioana, i cili i foli për historinë e kishës dhe për faktin që për vite me rradhë ky objekt kulti ka shërbyer për komuniterin shqiptar të Rumanisë. Ai u ndal tek figura e Fan S. Nolit. Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj e konsideroi Fan S. Nolin si një dijetar të madh dhe nxitës për rrugën e përparimit dhe të dijes. Sipas tij, komuniteti shqiptar i Rumanisë, pa dallim feje, shqiptarët kanë punuar së bashku për çështjen kombëtare. Në Rumani janë botuar libra historikë, letrarë, përkthime, tekste shkollore për rilindjen e kombit. Prej këtij komuniteti ne kemi dhe himnin kombëtar me tekst të Asdrenit dhe me muzikë të kompozitorit rumun Ciprian Parumbescu. Delegacioni nga Shqipëria vizitoi pllakën përkujtimore ku thuhet se Fan.S. Noli ka kryer shërbesën e tij në gjuhën shqipe në këtë kishë në vitin 1911.

Takim me Arkiepeshkopin e mitropolitit të Bukureshtit Mons. Aurel Percă

Ditën e hënë Baba Mondi u prit nga kreu i kishës Romano-Katolike në Rumani: Arkiepeshkop mitropolit i Bukureshtit Mons. Aurel Percă në Katedralen Sfantul Iosif. Baba Mondi bëri një historik të fesë bektashi në Shqipëri, të vështirësive të rindërtimit të objekteve të kultit. Gjithashtu ai foli për harmoninë fetare në Shqipëri, për martesat mikste të besimeve të ndryshme, për krijimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë të themeluar më 22 tetor 2007 nga krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Takimi me krerët fetarë në një vend mik si Rumania do të forcojë unitetin mes besimeve dhe religjioneve të ndryshme në dialogun ndërfetar, do të përcjellë atë vizion që Ati i Shenjtë Papa Françesku vlerësoi shumë dhe çmoi lart për kombin tonë-u shpreh Baba Mondi. Në Shqipëri, harmonia, toleranca, mirëkuptimi, janë më shumë, janë vëllazëri.

Arkiepeshkop mitropolit i Bukureshtit Mons. Aurel Percă theksoi se vetëm 4,5 përqind të popullsisë së Rumanisë i takon besimit romano katolik dhe greko-katolik. Mons. Aurel Perca  theksoi se e njeh historinë e dhimbshme të feve në komunizmin shqiptar dhe për ekzekutimin e klerikëve. Ai foli për shenjtoren me origjinë shqiptare Nënë Tereza dhe për dashurinë e madhe që kanë besimtarët rumunë për të. Baba Mondi e ftoi monsiniorin Aurel Perca të vizitojë Shqipërinë.

Takim me z. Silviu Vexler, president i Federatës së Komuniteteve hebraike të Rumanisë

Kryegjyshi u prit në Tempullin Koral në Bukuresht, që është një sinagogë e Komunitetit Hebre, nga deputeti Silviu Vexler njëkohësisht dhe kryetar i Federatës së Komuniteteve hebraike të Rumanisë. Presidenti i Federatës së Komuniteteve hebraike shoqërohej nga myftiu i fesë myslimane Murat Iusuf. Z. Silviu Vexler theksoi se në Rumani komunitet fetare jetojnë në një harmoni shembullore. Jo rastësisht kam ftuar këtu mikun tim, myftiun Murat Iusuf me të cilin ndajmë një miqësi të vjetër. Ai bëri një prezantim të Tempullit Koral të Bukureshtit si një vend i adhurimit të Zotit nga të gjithë hebrenjtë e Rumanisë. Në fjalën e tij ai falenderoi popullin shqiptar për atë që kanë bërë në Luftën e Dytë Botërore për popullin e tij dhe për këtë ai shprehu mirënjohjen e tij Baba Mondit si një udhëheqës i rëndësishëm shpirtëror i popullit shqiptar. Baba Mondi pasi e falenderoi për pritjen  foli për historinë e bektashinjve në Shqipëri, për harmoninë fetare në Shqipëri, për martesat e shqiptarëve me fe të ndryshme, duke respektuar fenë e gjithësecilit. Këto janë vlera që ruhen prej shekujsh dhe janë pasuria jonë-u shpreh Baba Mondi.

Silviu Vexler, duke qenë dhe deputet në Parlamentin e Rumanisë, vlerësoi punën që bën komuniteti shqiptar i Rumanisë sot, botime serioze akademike, revista kulturore dhe shkencore veprimtari të ndryshme në Rumani që hedhin dritë mbi traditat dhe vlerat e popullit shqiptar. Ai falenderoi gjithashtu deputetin Bogdan-Alin Stoica për atë që bën për komunitetin shqiptar dhe për kulturën shqiptare dhe për kontributin e tij si parlamentar rumun.

Pritje nga zv/kryetari i Dhomës së deputetëve në Parlamentin e Rumanisë

Zv/Kryetari i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin e Rumanisë Vasile-Daniel Suciu i rezervoi një pritje të ngrohtë dhe vëllazërore Kryegjyshit Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Ai u shpreh se është i lumtur të presë një lider shpirtëror që vjen nga Shqipëria. Ai vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet me Shqipërinë dhe se Rumania ka përkrahur dhe përkrah rrugën europiane të Shqipërisë. Ne e konsiderojmë popullin shqiptar një popull vëlla, me një histori të përbashkët dhe me një të ardhme të përbashkët. Baba Mondi foli për historinë e feve në Shqipëri, ringritjen e saj pas viteve 1990. Ai vlerësoi se jeta shpirtërore e popujve është shumë e rëndësishme, e drejta e besimit gjithashtu, por mbi të gjitha duhet të ruhet i hapur dialogu ndërfetar, toleranca dhe respekti i ndërsjellë. Përpos të tjerash, Baba Mondi vlerësoi ndihmën e madhe që i ka ofruar Rumania vendit tonë veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Për këtë shprehim mirënjohjen tonë të thellë për një vend mik si Rumania dhe për një popull vëlla siç është populli rumun. Gjithashtu Baba Mondi vlerësoi deputetin Bogdan-Alin Stoica për punën e jashtëzakonshme që bën në të mirë të afirmimit të vlerave të popullit shqiptar. Ai bëri me dije dinjitarin e lartë rumun se Presidenti i Republikës e ka dekoruar deputetin me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” në vlerësim të kontributit të çmuar të dhënë në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Për mbështetjen e pakursyer dhënë nëpërmjet Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), si organizata përfaqësuese e pakicës kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe në cilësinë e anëtarit të Parlamentit të Rumanisë. Baba Mondi e ftoi Zv/Kryetarin e Parlamentit të vizitojë Shqipërinë, duke u parë më shpesh, duke dialoguar më shpesh do ta duam më shumë njëri-tjetrin-u shpreh Kryegjyshi botëror.

Takim me Liderin i Grupit Parlamentar të pakicave kombëtare Varujan Pambuccian

Një takim tjetër i Baba Mondit në Parlamentin e Rumanisë ishte ai me Liderin i Grupit Parlamentar të pakicave kombëtare Varujan Pambuccian që i takon pakicave kombëtare armene në Parlamentin e Rumanisë.

Pambuccian pasi bëri një përshkrim të respektimit të pakicava kombëtare në Rumani foli për rolin e komunitetit shqiptar, së bashku me komunitet e tjera në vite në ndërtimin, emancipimin dhe ndihmesën që kanë dhënë në zhvillimin e Rumanisë në të gjitha fushat. Grupi Parlamentar përbëhet nga 19 parlamentarë të pakicave historike etnike që jetojnë në Rumani. Rumania ndër vite është shndërruar në atdheun e dytë të shumë të huajve që janë vendosur në këtë vend. Deputeti Pambuccian është një nga parlamentarët më të vjetër të Parlamentit të Rumanisë dhe me përvojë politike. Ai u shpreh se ka marrë pjesë në shumë veprimtari të organizuara nga ALAR dhe është i impresionuar nga niveli i tyre, nga botimet e organizatës së shqiptarëve të Rumanisë dhe se çmon shumë drejtuesit e saj.

Baba Mondi duke bërë paralele me përndjekjen dhe persekutimin e armenëve dhe të bektashinjve, foli për rolin e besimit dhe të ringjalljes së traditave dhe të besimit. Shqipëria është një shembull i harmonisë dhe vëllazërisë ndërfetare. Ndonëse të pakët në numër, pakica armene në Shqipëri ka luajtur një rol të rëmdësishëm, duke qenë intelektualë të dorës së parë dhe populli shqiptar i është mirënjohës popullit armen.

Vizita e Kryegjyshit Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj nga Kryegjyshata Botërorë e Bektashinjve në Bukuresht mund të konsiderohet historike. Një vizitë me takime të niveleve më të larta fetare dhe politike, por dhe një peligrinazh në vendet e shenjta të shqiptarëve”, rrëfeu Samarxhi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb