Rikthehet në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 Luan Hasa i cili dikur rrëfeu historinë e martesë së tij 24-vjeçare. Hasa ka rrëfyer konfliktet brenda familjes si dhe peripecitë që e çuan atë drejt divorcit në vitin 2016. Konfliktet e ashpra midis tij dhe bashkëshortes asokohe bënë që të dy të merrnin urdhër mbrojtjeje.

Në 2014 bashkëshortja merr urdhër mbrojtjeje dhe Luani dënohet me 8 muaj burg më pas në 2015 gjykata e Tiranës i jep urdhër mbrojtje Luanit dhe urdhëron bashkëshorten e tij asokohe të mos e kërcënojë dhe të mos kryejë asnjë vepër dhune në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj tij.

Në 2016 çifti vendos të divorcohet. Luani sot ka ndërtuar një tjetër familje. Pengu i tij është raporti me fëmijët nga martesa e parë, ai vuan pasi nuk ka asnjë komunikim me ta.
Ndërsa në anën tjetër ai thotë se shpesh herë ka dashur të bisedojë me ish-bashkëshorten për ndarjen e shtëpisë të cilën sipas tij e kanë ndërtuar të dy, por duke qenë se godina është në proces legalizimi, ende nuk është privatizuar.

Megjithatë ekziston një dokumentacion ku Luani, ish-bashkëshortja dhe vajza kanë figuruar bashkëpronarë dhe kanë shitur truallin në Priskë.
Sipas Luanit paratë e marrë janë hedhur për ndërtimin e shtëpisë që sot është në proces legalizimi.

Një tjetër vendim i Gjykatës së Tiranës në 19.12.2014 thotë se ish-bashkëshortja duhet t’i paguante Luanit 10 mijë lekë në muaj qira për banesën me afat 4 muaj, sipas Luanit ekzekutimi i vendimit nuk është bërë edhe pse Përmbarimi në datën 31.01.2018 ka urdhëruar të sekuestrohet llogaria e palës debitore të ish- bashkëshortes, të bllokohet dokumentacioni i automjetit të zonjës, por Luani ende nuk ka marrë atë që i takon. Sot Luani kërkon ballafaqim publik me gruan dhe kërkon të shohë fëmijët.

Sapo moderatorja i përmend fëmijët, ai shpërthen në lot pavarësisht se është një burrë në moshë.
“Fëmijët mos mi përmend. Fëmijët i pastë në qafë bashkëshortja. Dy vajzat e mia dhe djalin. Fëmijët nuk më afrohen mua fare. Unë kam qenë prind i keq. Vajzës së madhe i dhashë shkollën e lartë, i bleva dhe dy makinë. Edhe vajzës së dytë i dhashë shkollë për frëngjisht. Ndërsa për djalin rashë në burg dhe djali është me 9 vjet shkollë. Ai baba i keq kam qenë”, thotë Luani, teksa tregon sa i mungojnë fëmijët dhe sa dëshiron që t’i takojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb