Teksa për disa javë do të hyjmë në muajin mars, e ardhmja e sulmuesit të Bajernit, Robert Levandovski, është ende e paqartë.

Klube si Reali dhe Çelsi kanë shfaqur interes për polakun, po për momentin gjithçka është në pritje edhe te kampionët e Gjermanisë.

Edhe pse drejtuesit më të lartë kanë folur fjalë të mira për bomberin e tyre duke thënë vazhdimisht se do të ishin të lumtur nëse ai të qëndronte në Mynih, lojtari sërish nuk ka marrë asnjë propozim nga ta për të rinovuar kontratën që do të skadojë në 2023-shin.

Me shumë mundësi kjo sjellje e tyre ka një shpjegim, ata po marrin sa më shumë kohë për të menduar një transferim të bujshëm të Erling Halandit për sezonin e ardhshëm. Ideja për të sjellë norvegjezin në Mynih është sa e rrezikshme aq edhe tunduese.

Një operacion i tillë do të kapte shifra stratosferike për klubin më të titulluar në Gjermani. Edhe pse Bajerni është një nga klubet më të shëndetshme financiare në Europë, sërish paketa 300 milionë euro e Halandit duhet të studiohet mirë nga të gjithë. Sigurisht që në anën sportive, Erling do të ishte një garanci për sulmin.

Sipas “As”, Haland nuk është më një objektiv kryesor për Realin e Madridit që është fokusuar te Mbape. Levandovski është një sulmues që u ka interesuar madrilenëve prej vitesh dhe dëshira për ta sjellë në Spanjë vazhdon të jetë e madhe.

Në krahun tjetër Roberti mësohet të jetë mërzitur duke pritur Bajernin për t’i ofruar rinovimin ashtu siç ka bërë me Kimishin, Goreckën dhe Komanin.

Duke marrë në konsideratë dhe faktin që Salihamixhiç po mendon një transferim të Halandit, lojtari është ftohur me drejtuesit. Sezoni i rinovimeve në klubin e Bajernit është bërë zakonisht në muajin mars dhe prill, por nëse diçka e tillë nuk do të realizohet, atëherë largimi i polakut nga Mynihu do të ishte më shumë se i sigurt në fundin e këtij sezoni./Panorama sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb