NGA FATMIRA NIKOLLI

Një grua e re, e pamotivuar për të dalë nga bota e saj brenda mureve të shtëpisë, ka një ëndërr. Një pako letra bixhozi bëhet motivi i saj për të nisur jetën në një formë të re. Një burrë i vetmuar që e ka çuar hetën mes filmave, posterave e personazheve. Këta janë dy sinopse filmash të Balkan Mish-Mash Production, nisma më e re e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë(edicioni i pestë) që mbahet në Pogradec në datat 14- 19 shtator. Regjisorët që po bëjnë këtë kinema të vogël janë turku Mehmet Selcuk Bilge(dhe aktorja Nesrin yilmaz), grekja Mary Marinopouli, dhe shqiptarët Xhustin Kristian, Rea Bitri, si edhe operatori Erald Deda dhe aktorët Enkel Gurakuqi e Enxhi Rista dhe dy organizatorët: Rezar Gjoka e Ajola Daja. Ajola Daja, që ka mbaruar studimet për skenar dy vite më parë, tregon se ku përqendrohet Mish- Mashi.

“Është një nismë e re ku janë ftuar të rinjtë kinemadashës, profesionistë ose amatorë, për të xhiruar me njëri-tjetrin filma të shkurtër për festivalin. Ajo që donim të bënim ishte që të rinjtë e Ballkanit të kenë mundësinë të njihen me kulturat e njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojnë”,-thotë Daja. Xhirimet kanë përfunduar dhe nesër shfaqen për publikun.

“Janë pesë filma të shkurtër të xhiruar nga të rinjtë nga Turqia, Greqia dhe Shqipëria, e që janë jashtë konkursit. Natën e shfaqjes, të gjithë ne, do të zgjedhim filmin më të mirë prej tyre”. Sipas Ajolës, fokusi i pesë filmit, por edhe i një dokumentari që vetë ajo ka xhiruar, është vetmia, psikologjia e njeriut. “Pjesëmarrësit janë të moshave 20-30 vjeç, pra të rinj. Ajo që vihet re, janë problematikat me psikologjinë e njeriut. Grekja ka një sipnops për një grua që është në krizë paniku. Turku ka tjetër problematikë me psikologjinë: Flet për një grua në moshë që kërkon të bëjë vetëvrasje. Janë filma që fokusohen tek vetmia, personazhe të vetmuara dhe problemet që ata kanë me veten dhe përballjen me botën e me situatat e tjera”.

Mes tyre, është edhe një personazh i veçantë, për të cilin Ajola ka bërë një dokumentar. Ai quhet Thoma Angjeli. Ditë më parë, ai çeli në Pallatin e Kulturës në Pogradec ekspozitën e tij. “Është një koleksionist që ka mbledhur postera të filmave të viteve ’50, ’60, ’70, bashkë me fotot e personazhet e filmave në ato vite. Është një njeri që ka jetuar gjithë jetën e tij mes filmave, mes personazheve, mes botës shkëlqyese që kinemaja ofron”. Filmi shfaq jetën e tij mes filmave, posterave, jetën e tij në galeri, në shtëpi. “Jemi sërish tek një personazh i vetmuar”, thotë Ajola, duke shtuar se “me sa duket, problemi më i madh i kohës sonë është vetmia”.

TEMAT E BALLKANIT
Grupi i artistëve ka shkuar në Pogradec që në datën 11 për të pasur më shumë kohë për paraproduksionin, për të parë vendet e xhirimit, njerëzit që mund të ishin pjesë e filmave. “Dashurues të kinemasë e jo profesionistë janë marrë nga rruga për tu bërë pjesë e filmave. Personazhet kanë mosha të ndryshme”,-sqaron Ajola . Xhirimet e filmave janë bërë në shtëpi të varfra, në vende të braktisura, një pjesë në një punishte druri, një pjesë tjetër në bulevardin e Korçës, praktikisht vendet ku përthyhet e endet jeta e të varfërve e të vetmuarve, që jetojnë në Pogradec, ose atypari. Duket, se vetmia, është një ‘sëmundje’ që nuk njeh kufij, ndaj ka qenë tema e përbashkët e gjithë artistëve të Festivalit Ballkanik të Filmit. Vetmia, që nis nga vetja, por është një problem i mungesës së të tjerëve, qe një temë që erdhi krejt natyrshëm.

“Nuk ka qenë vendim i festivalit të bëheshin filmat me këtë temë. Secili e kishte menduar më herët dhe kur u mblodhëm u kuptua që të gjithë kemi një temë”, thotë Ajola. “Mendoj se qenia njerëzore është e njëjtë kudo që të jetë. Problemet psikologjike që ne përballojmë janë pothuaj njësoj. Të gjithë kanë marrë një personazh të vetmuar dhe e kanë bërë film. Mes Turqisë, Greqisë e Shqipërisë, ka të kundërta e të ngjashme plot, por deri diku ka një mënyrë të përafërt të shprehuri dhe një qasje të ngjashme me njëri-tjetrin”. Pyetjes pse Mish-Mash, Ajola i përgjigjet: “Jemi mësuar ta shohim rajonin e Ballkanit si Mish- Mash dhe duke qenë se ka shumë probleme sociale, historike e probleme me veten në të njëjtën kohë. Kemi kërkuar ta sjellim këtë Mish-Mash në një formë tjetër, për të rrëzuar gjithë ironinë e rajonit. Vjen përmes filmave dhe bashkëpunimit”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb