Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e ka kujtuar 21 vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe në Komunën e Rahovecit me anë të një dokumetari kushtuar kësaj masakre, e cila ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Balla thekson se në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës.

Sipas Ballës, ende sot mbetet mister fati i të pagjeturve.

“Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare”, shkruan Balla.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:
🇦🇱🇽🇰
KOSOVA KUJTON MASAKRËN E KRUSHËS SË MADHE

21 vite nga gjenocidi dhe masakra e Krushës së Madhe, në Komunën e Rahovecit. Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës.

Ish-ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer, bashkë me ish-ministrin e mbrojtjes Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe. Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”

Po ashtu edhe ish-ministri i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Robin Cook gjatë vizitës në Krushë me 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj…kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo…jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve“.

Ende sot ende mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb