Është mbajtur sot në Bruksel takimi ndërmjet Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të SEECP. Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të Shqipërisë, deputeti Taulant Balla foli në takimin e zhvilluar Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), ku kërkoi heqjen e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist përshëndeti akordin mes BE-së dhe Turqisë ndërsa tha se në frymën e liberalizimit të vizave për Turqinë është e rëndësishme që BE të japë dritën jeshile edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ne vendet e SEE përshëndesim akordin e arritur ndërmjet BE dhe Turqisë, të cilin e konsiderojmë si shumë të rëndësishëm në procesin e gjatë të zgjidhjes së krizës së refugjatëve. Në frymën e liberalizimit të vizave për Turqinë, të parashikuar në marrëveshjen e arritur të enjten, është shumë e rëndësishme që BE të japë dritën jeshile edhe për liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën. Në emër te Asamblesë Parlamentare të SEECP jemi këtu sot për t’i kërkuar Parlamentit Europian t’i propozoje Komisionit dhe Këshillit heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova i ka përmbushur tashmë kriteret kryesore, ndërsa numri i azil-kërkuesve nga Kosova ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit. Është e papranueshme që Kosova të vazhdoje të jetë një gardh i rrethuar me gjemba në mes të Europës”, tha Balla.

Më pas Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian diskutoi draftin përfundimtar të Rezolutës për Shqipërinë, në të cilën mesazhi kryesor është miratimi sa më shpejt i paketës së Reformës ne Drejtësi.

Në paragrafin 5, të dakordësuar ndërmjet dy grupeve më të mëdha PPE dhe S&D, përkatësisht ndërmjet eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein, i kërkohet Komisionit Europian që me miratimin dhe fillimin e implementimit të Reformës në Drejtësi të konsiderojë propozimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.
Nesër projekt-Rezoluta do të votohet në seancën plenare të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: