Në një lidhje Skypë për emisionin “Alert”, në News24, nga Granit Sokolaj, Elsa Ballauri, drejtore e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut foli për indiferentizmin e institucioneve, mungesën e informimit nga ana e tyre që çon në shkelje të drejtave të lëvizjes së qytetarëve.

“Me tërheqjen e Policisë duket se kemi shkuar drejt rregullimit. Jemi një pjesë e Europës dhe duhet të jemi shumë korrekt, pasi institucionet mbajnë përgjegjësi edhe në emër të qytetarëve. Më shqetëson fakti se përse një përfaqësues i policisë nuk del të shpjegojë çështjen, pasi është absurde dhe e panevojshme të shtohet pasiguria dhe mungesa e besimit tek Policia. Problemi tjetër që shtrohet është se meqë urdhri është pezulluar, pse zbatohet? A kemi të bëjmë me indiferentizëm, mosnjohje të pezullimit, apo kështu janë gjërat tek ne? Kemi shkelje ndaj të drejtave të qytetarit, pasi në momentin që implementohet urdhri i mëparshëm, atëherë është shkelje e drejtpërdrejtë.

Nga ana e Policisë nuk ka asnjë përmirësim në informimin ndaj qytetarëve. Komunitetet ndërkombëtare dhe organizatat kanë investuar dhe s’ka pse të mos kishte zgjidhje. Policia është indiferente, nuk kemi gjithmonë profesionalizm të mirë, kemi largime të herë pas hershme, policia shpesh e politizuar, kemi hierarki të padomosdoshme dhe kjo frymë nuk ndihmon në realizimin e këtyre shqetësimeve. Nëse një qytetari i ndalohet Franca, nuk ka arsye se pse t’i shkelet e drejta për të shkuar në një vend të rajonit. Parimisht është e tepruar kjo mënyrë ndalimi”-deklaroi Elsa Ballauri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb