Banka Botërore ngre shqetësimin e infektimit të ekonomive të Shqipërisë dhe rajonit te Ballkanit nga kriza greke.

Në raportin e Perspektivës Globale, publikuar së fundmi, Banka Botërore thekson se “presioni ekonomik e financiar në Greqi paraqet një rrezik shtesë për parashikimet e rajonit, pavarësisht se ekspozimi i vendeve të tjera të Eurozonës është ulur që nga viti 2010“.

Sipas raportit, sistemi Bankar në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Serbi dhe Rumani, mbetet i pambrojtur përmes degëve të konsiderueshme të bankave greke.

Mes këtyre vendeve, raporti dallon Shqipërinë dhe Bullgarinë ku bankat me kapital grek përbëjnë 18% të totalit të bankave dhe 23%, duke paraqitur rrezikun e përhapjes së ndikimit të sistemit financiar grek edhe në këto vende.

Pas Bankave, raporti përmend remitencat [të ardhurat nga emigrantët] si një faktor në rrezik, duke saktësuar se Shqipëria merr dërgesa nga emigrantët në Greqi sa 3.7% e prodhimit te brendshëm bruto.

Por Banka e Qendrore e Shqipërisë përjashton mundësinë e transmetimit të krizës greke përmes sistemit bankar.

Klodian Shehu, drejtor i Departamentit te Stabilitetit Financar pranë Bankës së Shqipërisë, thotë se bankat me kapital grek në vend kanë mbyllur pothuajse tërësisht dy kanalet e mundshme të transmetimit të krizës: së pari, ato nuk marrin hua nga bankat greke dhe së dyti, nuk po financojnë borxhin grek.

Por zoti Shehu nuk përjashton mundësinë e ndikimit, e cila sipas tij do të duket tek tregtia e investimet.

Ndërsa, në një njoftim për mediat, Shoqata Shqiptare e Bankave siguroi se zhvillimet në vendin fqinj nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.

Sistemi bankar shqiptar, ku përfshihen edhe bankat me kapital grek, është financiarisht i pavarur nga sistemet bankare në vende të tjera, shpjegon shoqata.

Në një njoftim për shtyp, theksohet se “të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarura ligjore. Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj”.

Shoqata përjashton mundësinë që masat e marra nga qeveria apo banka qendrore Greke të kenë ndonjë efekt ligjor në Shqipëri.

Bankat greke do të qëndrojnë të mbyllura deri në datën 5 korrik. Në këtë datë grekët do të vendosin me referendum nëse pranojnë ose jo, paketën e shpëtimit të kreditorëve ndërkombëtarë.

Afati i pagimit të këstit të radhës së Greqisë ndaj kreditorëve, përfundon sot, në 30 qershor.

(d.d/rel/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: