Bankers Petroleum Ltd ka bërë publike të dhënat operacionale të tremujorit të dytë.
Prodhimi
Bankers arriti një nivel mesatar prodhimi prej 15,934 fuçi naftë në ditë (bopd), 8.2% më pak se mesatarja e tremujorit të parë të 2016-ës, prej 17,363 bopd. Si pasojë e bllokimit të aktivitetit të Petroliferës Italo-Shqiptare (PIA) në fund të muajit maj, kompania e reduktoi prodhimin me rreth 4,000 bopd përgjatë 5 ditëve si pasojë e reduktimit të kapaciteteve magazinuese. Prodhimi nisi të normalizohej në 8 qershor dhe u rikthye në nivelet e mëparshme brenda një jave.. Kompania vijoi të optimizojë nivelet e prodhimit dhe të monitorojë kthimin ekonomik të puseve në përputhje me mjedisin aktual të çmimeve të naftës.

Shitjet dhe Çmimet e Naftës
Në tremujorin e dytë 2016, shitjet mesatare të naftës arritën në 15,023 bopd, kundrejt 17,280 bopd në tremujorin e parë 2016. Inventari i naftës bruto në 30 Qershor, 2016 u rrit në 348,700 fuçi kundrejt 266,000 fuçi në 31 Mars 2016, me ngarkesën e fundit të eksportit e cila u shty për në ditët e para të muajit korrik. Çmimi mesatar i naftës së Bankers ishte rreth 29.99 dollarë/fuçi (66% e çmimit Brent prej 45.57 dollarë/fuçi), kundrejt një çmimi prej 21.07 dollarë/fuçi në tremujorin e parë (62% e çmimit Brent prej 33.89 dollarë/fuçi). Shitjet në eksport gjatë tremujorit të dytë 2016 përbënin 94% të totalit të shitjeve, me një çmim mesatar prej 66% të çmimit Brent. Çmimet e shitjes në tremujorin e dytë u përmirësuan kundrejt tremujorit të parë 2016 pasi çmimi i Brent-it u rrit në mbi 40 dollarë/fuçi por edhe për shkak të rritjes së kërkesës për naftë bruto në tregun e huaj dhe vendas.
Gjatë gjashtë muajve të parë, deri në 30 Qershor 2016, shitjet mesatare të naftës ishin 16,152 bopd (me çmim 63% të Brentit prej 25.22 dollarë/fuçi) kundrejt 19,899 bopd (me çmimim 75% të Brentit prej 57.95 dollarë/fuçi) në gjashtëmujorin e parë 2015.

Përditësimi mbi Shpimin
Si pasojë e mjedisit të çmimit të ulët të naftës, Bankers vendosi të ndalojë aktivitetin e shpimit në fillim të vitit për të garantuar një bilanc të fortë financiar të kompanisë. Aktiviteti i shpimit do të rinisë sapo çmimet të rriten dhe po shikohet mundësia për ta rikthyer në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Programi i Rritjes së Prodhimit të Naftës (EOR)
Njësitë ekzistuese të injektimit të polimerit dhe ujit vijojnë të përformojnë mirë dhe në disa raste mbi pritshmëritë. Rritja mesatare e prodhimit përpara rënies së muajit qershor nga njësitë EOR ishte 3,665 bopd (duke përfaqësuar 24% të prodhimit total). Prodhimi total nga këto njësi EOR është rreth 5,285 bopd (ose 35% e prodhimit total). Kompania konvertoi katër puse prodhues në puse injektues gjatë tremujorit të dytë dhe tani ka 53 puse të injektimit me polimer dhe 5 puse të injektimit me ujë.

Zhvillimi i Infrastrukturës
Në tremujorin e dytë 2016, Bankers implementoi planet për të zgjeruar përdorimin e gazit natyror si burim energjie për të vënë në punë gjeneratorët si dhe vijoi me zgjerimin e sistemit të shpërndarjes së polimerit. Kompania u fokusua gjithashtu edhe në optimizimin e sistemit të mbledhjes së ujit.

Përditësimi mbi Transaksionin
Përfundimi i planit të propozuar të marrëveshjes së shitjes me degët e Geo-Jade Petroleum Corporation është subjekt i miratimit i Administratës Shtetërore Kineze të Këmbimit Valutor (SAFE). Bankers parashikon marrjen e këtij miratimi, në javët e ardhshme dhe finalizimi i marrëveshjes do të ndodhë menjëherë pas kësaj në muajin korrik. Pas përfundimit me sukses të marrëveshjes, aksionet e Bankers nuk do të listohen më në bursën e Torontos (“TSX”) dhe në Bursën e Londrës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: