Pesë familje në fshatin Qafëzez refuzojnë sistemimin në banesat me qira ofruar nga bashkia e Kolonjës, 4 prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë prej muajsh në kontejnerë ndërsa një familje tjetër në çadër pranë banesës së tyre.

Edhe pse stina e dimrit është shoqëruar me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe qarku i Korçës është përfshirë edhe nga reshjet e borës, banorët e Qafëzezit të cilët prej tërmetit të 1 qershorit qëndrojnë në çadra dhe kontejnerë nuk pranojnë të largohen pa pasur siguri për shtëpitë e tyre.

Sot banorët e Qafëzezit kanë pritur në fshat kryetarin e bashkisë Kolonjë Erion Isai i shoqëruar nga prefekti dhe nënprefekti për të pasur një komunikim të drejtpërdrejtë me ta përse i përket zhvendosjes në banesat e siguruara nga bashkia duke hequr në këtë mënyrë çadrën dhe kontejnerët e fundit.

Banorët debatuan me kryebashkiakun duke kundërshtuar në mënyrë kategorike largimin e tyre nga kontejnerët dhe çadra. Sipas banorëve shtëpitë që u janë vënë ne dispozicion nga bashkia janë larg shtëpive ekzistuese dhe gjësë së gjallë me të cilat sigurojnë të ardhurat e tyre.

Në fshatin Qafëzez ka përfunduar rikonstruksioni i 23 shtëpive, rindërtimi i 3 shtëpive nga fillimi si dhe 246 banorë kanë përfituar bonusin e dëmshpërblimit dhe janë në proces të likuidimit nga pushteti qendror.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb