Banorë të tre fshatrave në Dibër kanë protestuar këtë të hënë kundër ndërtimit të një ujësjellësi për fshatin Maqellarë.

Banorët e Kërçishtit të Poshtëm, Kërçishtit të Sipërm dhe Kllobçishtit refuzojnë marrjen e ujit në malin mbi fshatrat e tyre për banorët e Maqellarës.

Ata thonë se ai ujë është i vetmi që i mban në fshat, pasi jetën e kanë të lidhur me bujqësinë.

Po ashtu, vetë këta fshatra nuk kanë ujë të pijshëm, ndaj kanë theksuar se nuk të lejojnë Bashkinë Dibër për të ndërtuar ujësjellësin.

“Në 30 vite demokraci i kanë vënë këmbën në fyt fshatit. Nuk kemi ku të marrim ujë. I bëjmë thirrje pushtetarëve të vejnë dorën në zemër dhe të mendojnë. Çfarë bëjnë kështu? Është gjynah të marrin ujin fëmijëve”, ka thënë një prej banorëve.

“Ne jemi fermerë. Edi Rama thotë fermerët të shtojnë blegtorinë, por ajo blegtori nuk do ujë, tokë. Si do t’ja bëjmë’, ka thënë një tjetër banore.

Nga ana tjetër banorët shprehen se do të përshkallëzojnë protestën e tyre duke mos dërguar fëmijët në shkollë si dhe paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

“Le të vijë kush të dojë, askush nuk do ta marrë ujin. Pa këtë ujë nuk kemi jetë. Do të vdesim këtu dhe ujin nuk e lëshojmë”, ka thënë një tjetër banor.

Kërçishti i Sipërm është pjesë e 100 fshatrave turistik në vendin tonë, por banorët aty ende nuk kanë ndjerë investime të natyrës turistike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: