Jashtë dyerve të qendrës së votimit, të vendosur para derës së ambasadës amerikane në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, teksa është shprehur se ai nuk ka mbështetës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u pyet edhe nëse po sfidonte SHBA-të, për faktin që ka hapur qendrën e votimit pranë ambasadës, duke u përgjigjur se “Për asnjë vend të lirë të botës, aq më tepër për SHBA, vendin e madh të lirisë, vota e lirë nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse e mirëpritur dhe respekt”.

Mes të tjerash, ish-kryeministri komentoi dhe përplasjet para selisë së PD mes mbështetëseve të Bashës dhe Albana Vokshit e Evi Kokalarit, duke thënë se “Deputeti Brava është i shkarkuar, për momentin është në dinajëll, që do të thotë kur shkëputesh nga realiteti dhe çdo gjë të realitetit e mohon. Incidentet i organizon Lulzim Brava, ishte akti më i turpshëm. Kurrë nuk janë agresuar zonja në oborrin e PD, siç veproi ai me një qëndrim të shpëlarë prej një njeriu që nuk njeh asnjë normë. Basha nuk ka mbështetës, të hënën janë të ftuar të gjithë deputetët, anëtarët dhe simpatizantët e PD. Lulzim Brava mbetet brava”.

Ndërkohë, Berisha foli dhe për nismën e vendeve të rajonit për “Ballkanin e Hapur”, duke u shprehur se “Ballkani i Hapur nuk mund të kalojë kundër interesave të shqiptarëve si aleancë që po nxit destabilizimin, që po kërkon të largojë Ballkanin, duke sfiduar nismën e Berlinit, për ta vendosur atë si zonë influence të Rusisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb