Në Barcelonë janë bërë gati për festën e titullit në La Liga, me tifozët që shpresojnë shumë të vijë më 10 maj përballë Realit në “El Clasico”, por në të njëjtën kohë, drejtuesit e klubit po punojnë prej kohësh për të planifikuar sezonin e ri. Hapi i parë është zyrtarizimi i rinovimit të kontratës me Hansi Flick, në këtë pikë nuk ka më asnjë dyshim pas deklaratës së fundit, ku tekniku gjerman shprehu hapur dëshirën e tij për të rinovuar kontratën.
Detyra e parë e Flick dhe stafit drejtues është të përforcojnë repartin e mbrojtjes, ku Bastoni ka qenë dhe mbetet objektivi i tyre kryesor. Në lidhje me fazën sulmuese, në Barcelonë është rikthyer të qarkullojë edhe një herë fuqishëm emri i Lautaro Martinez. “Demi” është një dëshirë e vjetër e Barçës, një profil që pëlqehet shumë, si për faktin që garanton gola, ashtu edhe për eksperiencën e tij të madhe.
Sipas mediave spanjolle, pavarësisht se Martinez është një emër që i tundon shumë, kapiteni i Inter është një plan B pasi objektivi i tyre kryesor ka qenë dhe mbetet Julian Alvarez. Në shtëpinë e Barçës janë të vetëdijshëm se t’i rrëmbejnë Atletico Madrid sulmuesin argjentinas nuk është e lehtë, për këtë arsye kanë vendosur edhe Lautaro Martinez në listën e dëshirave.
Sigurisht, blerja e mundshme e Martinez apo edhe e Bastonit, janë lëvizje me kosto shumë të lartë, por Barça shpreson të minimizojë shpenzimet duke nxjerr në shitje lojtarë si Jules Kounde dhe Ronald Araujo.
