Negociatat në selinë blu/ Basha mbyll marrëveshjet me tre aleatë. Çfarë kërkojnë Idrizi e Mediu
Lulzim Basha ka mbyllur marrëveshjet me 3 nga aleatët e tij për zgjedhjet e 25 prillit.
I pari që dakordësoi me demokratët ishte Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste, i cili do të renditet i treti në listën PD-së në Durrës.

Pas tij, edhe PDK ra dakord që kryetari Nard Ndoka të jetë pjesë e listës së sigurt të Shkodrës, ndërsa kreu i LZHK, Dashamir Shehi do të jetë në listën e Tiranës.

Negociatat vazhdojnë të jenë të pambyllura me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, republikanët e Fatmir Mediut, dhe PBDNJ-në e Vangjel Dules, ky i fundit më pranë marrëveshjes dypaleshe me Bashën.

Në një intervistë për News24, Shpëtim Idrizi shprehet se për të qenë marrëveshje sa më të pranuara nga palët, duhet që të respektohet pesha specifike e secilës parti në zgjedhje.

“Në negociata duhet të na udhqëheqë qëllimi i përbashkët kundrejt Ramës. Të respektohet pesha specifike e partive politike në zgjedhje”,- tha ai.

Kreu i PDIU, shprehet gjithashtu se këto negociata janë të vonuara, dhe se tashmë opozita duhej të ishte në marrëveshje me qytetarët. Idrizi shprehet se kjo ka ardhur edhe si pasojë e ndryshimeve kushtetuese, ku Rama qëllimisht kërkon që të fusë në mosmarrëveshje opozitën e bashkuar.

“Ndryshimet kushtetuese vonuan marrëveshjet në opozitë. PDIU është konsoliduar në 5 qarqe. Do të ruaj peshën specifike të PDIU-së”,- shtoi ai.

Të vështira duken negociatat edhe për Partinë Republikane të Fatmir Mediut. Kryetari i PR për Tiranën, Blendi Sulaj shprehet se partia që ai aderon kërkon që t’i respektohet pesha që ka në qarqe të ndryshme të vendit, ndryshe nëse PD nuk e konsideron këtë, secili do të shohë punën e tij.

Ndërkohë aleati tjetër i PD, LSI, ka vendosur që në zgjedhjet e 25 prillit të dalë me listën e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb