Nga ARBEN VATA

Ata që i kanë rekomanduar Edi Ramës që ditën e protestës së madhe të opozitës për premtimet e pambajtura të qeverisë të shkonte në Tufinë për të inauguruar hapjen për publikun të bunkerit anti-atomik të Enver Hoxhës, janë sigurisht këshilltarët e tij më të këqij. Kryeministri sigurisht se nuk kishte pse të rrinte në zyrë (në fakt ai do trembej nëse do shihte poshtë dritareve atë lumë të madh njerëzish që i kërkonin atij llogari për mashtrimet e bëra ndaj tyre në fushatë), por shumë mirë mund të shkonte në ndonjë rreth apo periferi tjetër për të inauguruar ndonjë investim, si rrugë apo edhe punime të tjera publike. Siç bëri psh., rivali i tij i së majtës, Ilir Meta, i cili po atë ditë ishte në Skrapar për të marrë pjesë në një inaugurim për ndërtimin e një hidrocentrali privat. Rama në fakt nuk ka se çfarë inaugurimi të bëjë, ndaj dhe i shtyrë ndoshta edhe nga këshilltarët e gabuar apo edhe nga vetë frika e tij prej pjesëmarrjes masive të paralajmëruar për këtë protestë, zgjodhi të zhvendoset pikërisht në atë orar në afërsi të Tufinës për t’u treguar shqiptarëve bunkerin ku Enver Hoxha planifikonte të mbyllej në rast të një sulmi atomik mbi Shqipërinë. Ai mund ta bënte inaugurimin e bunkerit edhe një ditë tjetër, por kryeministri zgjodhi pikërisht të shtunën e protestës së opozitës për dy arsye. E para, Rama kërkonte të zhvendoste vëmendjen e të gjithë opinionit që ishte i përqendruar te kjo protestë, e cila ishte në fakt një tregues për forcën e opozitës dhe mbështetjen që ajo dhe kryetari i saj Basha kishin fituar te qytetarët përgjatë pak më shumë se një viti opozitë. Në një farë mënyre ia arriti, pasi mediat e njohura pranë tij, si ato të shkruara dhe elektronike, nuk i dhanë kësaj ngjarjeje vëmendjen që meritonte, por e trajtuan si një lajm të dorës së dytë në edicionet informative apo ballinat e gazetave. Këto media u morën gjerësisht me bunkerin e Enverit dhe deklaratat e Ramës dhe shumë pak, ose e trajtuan me dashakeqësi protestën e opozitës. Duke u marrë me bunkerin e Enverit që vizitor të parë pati Ramën, më shumë sesa me podiumin ku Basha fliste përpara një mase shqiptarësh të zhgënjyer nga qeveria, mediat u përpoqën ta sfumonin rëndësinë e kësaj proteste, e cila në fakt nuk mund të fshihej në përmasat e saj nëpërmjet masivitetit të rrjeteve sociale online, që qeveria për momentin nuk është e aftë që t’i ndalojë.

E dyta, Rama shfrytëzoi bunkerin e Enverit për të rihapur, kushedi se për të satën herë, debatin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të shtetit. Në fakt, kjo është një temë e preferuar e politikanëve dhe qeveritarëve tanë sa herë që ata gjenden në pozita jo komode drejtimi. Ndaj edhe kjo përpjekje e Ramës për të orientuar debatin publik tek Enver Hoxha apo spiunët e Sigurimit është një tentativë lehtësisht e kuptueshme për të zbutur sado pak zemërimin popullor që u pa qartë se po merr përmasa të mëdha ndaj qeverisjes së tij. Pavarësisht se Rama kërkon që debati publik të përqendrohet te “kalecat” dhe njerëzit të harrojnë hallet e përditshme dhe të mos i përgjigjen më thirrjes së opozitës për protesta, një hapje e vërtetë e dosjeve vetëm sa do ta dëmtonte PS më shumë se këdo tjetër. Ish-sigurimsat dhe pasardhësit e tyre janë tashmë detashmente të PS, ish-Partia e Punës së Enver Hoxhës, e cila sot ka mjaft vota pikërisht nga ky kontingjent dhe pasardhësit e tyre. Nga ana tjetër, këta pasardhës janë sot ose në qeveri, ose në nivele të larta të administratës dhe hapja e dosjeve vetëm sa do të shkaktonte një tërmet te socialistët. Rama që e di mirë këtë, nuk e ka ndërmend ta çojë debatin deri në fund, por kërkon të hutojë opinionin publik, që fatkeqësisht është shumë i ndjeshëm dhe përfshihet menjëherë në diskutime të tilla të së kaluarës.
Gjitha këto Rama i dinte dhe i mendonte shumë mirë edhe kur po fliste përpara të ftuarve të zgjedhur në bunkerin e Enverit, por informacionet se përpara zyrës së tij ishin mbledhur më shumë njerëz se asnjëherë tjetër, e hutuan Ramën. Ai ngatërroi vendin ku ndodhej bunkeri në Tufinë, Selitë apo Shkozë u shpreh ai, ndërsa siç duket, po mendonte për një tjetër godinë të ngjashme me një bunker ku ai shpesh shkon në kohën e lirë. Bëhet fjalë për shtëpinë që ai po ndërton rrëzë malit të Dajtit, për të cilën nuk ka asnjë transparencë, psh., se me çfarë parash po ndërtohet, sa është investimi i kryer, kush janë donatorët, etj. Paratë e deklaruara nga Rama nuk mjaftojnë për një investim të tillë, ndërkohë që shifra e lartë nuk është çudi të justifikohet me fitimet e “Kurbanit” . Megjithatë, është e sigurtë se shtëpia e tij nuk mund të jetë kaq pa shije sa bunkeri që ndërtoi Enveri për vete dhe ndoshta një ditë ajo nuk mund të jetë kaq hermetike dhe e mistershme për publikun.
Duke u rikthyer te mitingu i së shtunës, nuk ka rëndësi nëse aty morën pjesë 12 mijë sa tha qeveria, apo 200 mijë sa tha opozita. Ajo që nuk mohohet dot është fakti se ajo ishte protesta më masive kundër një qeverie në këto 24 vjet demokraci. Njerëzit aty mbushën sheshin të shtyrë më shumë nga zemërimi prej qeverisë që po i gënjen, sesa nga opozita, e cila është ende e re në formatin e saj të ri dhe ka nevojë për kolaudimet e nevojshme. Ai lum njerëzish mund të ishte edhe më i gjatë nëse organizatorët psh., do të bënin më shumë kujdes që protestuesit t’i mbanin në distancë me njëri- tjetrin dhe jo ashtu grumbull në të gjithë hapësirën prej Kryeministrisë deri te fillimi i sheshit “Skënderbej”. Të ishte PS psh., me siguri që rreshtat e njerëzve do të ishin 2 metër larg njëri-tjetrit dhe imazhi i protestës do të ishte edhe më domethënës. Por demokratët nuk duket se janë aq fort të dhënë pas imazhit, por pas mesazhit. Dhe mesazhi u dha: Zoti kryeministër, dëgjoje zërin e njerëzve dhe mbaj premtimet! Dhe nëse zëri i zotit Basha pati ndonjë turbulencë në fund, ky nuk është argument që duhet ta përdorë qeveria dhe mbështetësit e saj. Vendit i duhen njerëz që ngrenë zërin ndaj një qeverie kur ajo është arrogante me ta dhe një lider që është i besueshëm dhe di të artikulojë zërin e protestës. Sa për pëllitësa, drejtues që shajnë e rrahin vartësit, politikanë që godasin tavolinat dhe marrin sëpatën në dorë e trembin fëmijët rrugëve, ky vend nuk ka nevojë.

(o.d/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb