Jill Biden i ka kërkuar privatisht bashkëshortit të saj, president i SHBA, Joe Biden që t’i japë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit dhe krizës në Gaza.

Ndërsa fliste me një grup liderësh të komunitetit mysliman në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti thuhet të ketë deklaruar se, zonja e parë i kishte thënë atij: “të ndalojë, ndaloje tani, Joe”.

Joe Biden thuhet se e bëri vërejtjen pasi një mjek që kishte trajtuar të plagosurit në Gaza i shpjegoi se gruaja e tij nuk donte që ai të merrte pjesë në takim, sipas Salima Suswell, themeluese e Këshillit të Lidershipit Musliman, e cila ishte gjithashtu e pranishme në këtë takim.

Presidenti u përgjigj se ndan të njëjtat pikëpamje me gruan e tij sa i takon konfliktit.

Suswell i tha NBC News se ajo shënoi deklaratat e presidentit sepse u prek kur dëgjoi se zonja e parë ishte kaq e shqetësuar për luftën në Gaza.

Lutja e zonjës së parë vjen pasi organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë liderët botërorë se palestinezët e pafajshëm po përballen me kërcënimet e urisë dhe sëmundjeve dhe kanë gjithnjë e më pak akses në ndihma humanitare.

Vetëm këtë javë, shtatë punëtorë të Kuzhinës Qendrore Botërore të cilët po shpërndanin ushqim për civilët në Gaza u vranë nga një sulm ajror izraelit.

Ndërsa lufta në Gaza po vazhdon, më shumë demokratë i kanë bërë presion presidentit Biden që të bëjë më shumë për të rritur ndihmën humanitare dhe për t’i dhënë fund luftës.

Ligjvënësit në SHBA po hezitojnë të mbështesin legjislacionin që mbështet Izraelin pa kufizime dhe kërkojnë që vendet që marrin ndihmën ushtarake nga SHBA, të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Joe Biden ishte një mbështetës i zjarrtë i Izraelit në ditët e para pas sulmit të 7 tetorit, duke dërguar ndihmë ushtarake në luftën kundër Hamasit. Por në muajt e fundit, mbështetja e tij është zbehur pasi konflikti po bëhet më i përgjakshëm dhe më shumë palestinezë të pafajshëm po vriten.

Pas vrasjes së shtatë punëtorëve humanitarë, Biden filloi kritikën e tij më të ashpër ndaj Izraelit, duke thënë se ata “nuk kanë bërë mjaftueshëm për të shmangur sulmet ndaj jetëve të pafajshme”.

Edhe votuesit kanë shprehur kundërshtimin ndaj pozicionit të Biden për luftën në Gaza duke refuzuar të hedhin votat paraprake në favor të tij, në vend të kësaj duke i lënë ato bosh.

Megjithatë ajo që Jill Biden i kërkon bashkëshortit të saj president është kundërthënëse me qëndrimet e saj për përfshirjen amerikane në konfliktet ndërkombëtare. Kjo është pjesërisht edhe për shkak të shërbimit të Beau Biden në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së Delaware në 2003, gjë që e çoi atë të shërbente në Irak në vitin 2008. Beau Biden u nda nga jeta disa vite më parë nga tumori në tru.

Gjithashtu, Zonja e parë mbështeti vendimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Joe Biden do të bisedojë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë ditës së enjte, për mundësinë e zgjidhjes së konfliktit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb