Bashkia e Librazhdit për herë të parë ka organizuar hapjen zyrtarisht të sezonit turistik me aktivitete të shumta të organizuara në qendër të qytetit dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut.Në këto aktivitete u prezantuan destinacionet e shumta turistike, kulturore, historike dhe të kulinarisë së kësaj bashkie.

Të shumtë ishin banorët e zonës dhe turistët që morën pjesë në hapjen e siparit turistik, duke përfituar edhe nga pushimi i fundjavës. Janë jashtëzakonisht të shumta arsyet pse turistët e huaj dhe ata vendas duhet të vizitojnë Librazhdin tha kryetari i kësaj bashkie Mariglen Disha.

Një nga premtimet e bëra nga ana e tij është shndërrimi i kësaj zonë në një prej destinacioneve më të rëndësishme të Turizmit Malor në Shqipëri dhe aktualisht po punohet me një strategji mjaft të qartë në këtë aspekt. Bashkia e Librazhdit tha gjatë fjalës së tij Disha, ka potenciale dhe resurse natyrore mjaft të mëdha mes të cilave turistët mund të zgjedhin për të vizituar destinacione të tilla si Rruga Egnatia, një nga 12 rrugët më të famshme të kohës antike e cila ishte edhe më e shkurtra që lidhte Lindjen me Perëndimin. Rruga Egnatia përshkon mes për mes disa fshatra të Librazhdit përgjatë luginës së Shkumbinit ku ka gjurmë të freskëta të saj në segmente me gjatësi jo të vogla.

Po kështu përveç Rrugës Egnatia dhe Parkut Kombëtar të Shebenikut janë destinacione po kaq të famshme edhe Kisha Eremite e Kosharishtit, Shpella e Akullit në Letëm, Liqenet Akullnajore të Shebenikut, Ura e Kamares në Mirakë, Ura e Gurit në Polis,Shpella e Plakës në Gizavesh, Qyteza ,Guri i Bletës e Guri i Sukllit në Xhyrë o plot të tjera monumente kulture, monumente historike e monumente natyre. Librazhdi vlerësohet gjithashtu edhe për shumëllojshmërinë e bimësisë, luleve e pyjeve dhe cilësohet nga të huajt si një miniparajsë e gjelbërimit dhe burimeve ujore. Prandaj rekomandohet si një destinacion i rëndësishëm i Turizmit Malor ku fshatrat Xhyrë, Dardhë, Hotolisht, Fushë Studën, Polis, Qarrishtë e plot të tjerë tashmë janë nga më të vizituarit nga të huajt dhe fluksi i turistëve drejt tyre po rriten jashtëzakonisht nga muaji në muaj. Në territorin e bashkisë së Librazhdit për shkak të rritjes së fluksit të turistëve pjesa më e madhe e strukturave akomoduese të tipit Bujtina janë rezervuar nga vizitorë vendas dhe të huaj, ku numrin më të madhe të tyre e zënë ata nga Europa Perëndimore.

Për shkak të zgjerimit të ofertës turistike veç Parkut Kombëtar të Shebenikut vizitorët do orientohen edhe drejt destinacioneve të tjera malore, monumenteve natyrore dhe siteve të trashëgimisë kulturore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb