TIRANE – Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë edhe të Kopshtit 31 në kryeqytet, i cili përveç kushteve më të mira për fëmijët, ofron edhe një ambient të posaçëm për fëmijët me aftësi të veçanta, falë bashkëpunimit me “Down Syndrome Albania”.

Punimet e kryera u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nga deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Pasi panë nga afër mundësitë që ofron ky kopësht, kryebashkiaku Veliaj theksoi se tashmë edhe ky ambient ofron të njëjtat kushte dhe mundësi si edhe të 14 kopshtet e tjera të përfunduara gjatë verës.

“Për herë të parë po fusim një shërbim për fëmijët me aftësi të veçanta, ndaj partneriteti me “Down Syndrome Albania” është një mënyrë fantastike për të futur disa shërbime shtesë, që nuk ia rrisin koston kopshtit, por që mbulohen nga partnerët për engjëjt tanë që janë me nevoja speciale dhe të veçanta. Besoj që pavarësisht rrethanave, të gjithë jemi me nevoja speciale, thjesht disa prej engjëjve të vegjël kanë nevojë për pak më shumë ndihmë. Më vjen mirë për kolegët që do të përfshihen në këtë projekt pilot në kopshte e çerdhe, duke pasur një vend të veçantë e duke pasur trajnerë dhe kujdestarë të specializuar”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, deputeti socialist, Majko u shpreh se “ky është kopshti i fundit i njësisë, i gjashti në radhë”. “Sot të gjitha kopshtet e Njësisë 5 janë të rikonstruktuara, falë një ndërmjetësimi shumë të fortë nga ana e Bashkisë së Tiranës me donatorët dhe një pune shumë të mirë të drejtorisë përkatëse të bashkisë”, tha ai.

Në kopshtin 31, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme, të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu janë kryer edhe punimet e jashtme, sistemimi i hapësirës së gjelbër, krijimi i 4 këndeve të lojërave dhe rikonstruksioni i plotë i të gjithë fasadës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: