TEPELENA

Banorë të Hormovës dhe patriotë nga trevat shqiptare janë bërë së bashku për të ristrukturuar memorialin që kujton masakrën e Hormovës, në Tepelenë, të vendosur në fshatin Kodër.

Por Bashkia Tepelenë ka bllokuar punimet me argumentimin se kërkesa ishte për ristrukturim, ndërsa në terren ka nisur ndërtimi i një tjetër memoriali që do t’i shtohet atij ekzistues. Sipas Bashkisë Tepelenë, punimet do të mbeten të bllokuara deri në përfundim të procedurave ligjore.

Situata ka marrë përmasa nacionaliste duke u përkthyer si përpjekje e Bashkisë për të penguar ndërtimin e memorialit të ri. Ngjarja ka gjetur pasqyrim edhe në faqet nacionaliste greke.

MASAKRA E HORMOVËS

Në 29 prill 1914, bandat e ushtarëve dhe të andartëve grekë masakruan mbi 200 burra e djem hormovitë brenda ambienteve të manastirit të Shën Mërisë, mbi fshatin Kodër.
Në muajt prill e maj 1914, me dhjetëra mijëra banorë të fshatrave të jugut, braktisën vatrat e tyre dhe u dyndën drejt veriut.
Tragjedia rrëqethëse e Hormovës, pati rastin të dëshmohej nga një ekip ndërkombëtar i kryesuar nga gjenerali holandez Dever. Ai u ndesh me një pamje rrëqethëse. Në degën e një lisi dhe në kombanaren e kishës, pranë tij, vazhdonin të qëndronin varur dy trupa meshkujsh. Në oborrin para kishës u zbuluan tre varre masive me trupat e 217 burrave, që ishin mbuluar përciptazi, shumë prej të cilave ishin me koka të prera ose me kafka të copëtuara, për t’i rivarrosur në disa gropa të thella, të hapura rishtazi prej tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb