Deputeti i PS dhe ish- kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino ka krahasuar në emisionin ”Kjo Javë” të Nisida Tufës në News24 krizën e ’97 me atë të COVID-19.

Fino në radhë të parë shprehet se nuk mund të krahasohen pasi ’97 ishte krizë shumë më e thjeshtë për t’u menaxhuar dhe zgjidhur sesa COVID-19 i 2020 me pandeminë globale.

Sipas Finos atëhere ishte krizë vetëm e Shqipërisë kurse sot është e gjithë botës. Në ’97 rrëfen Fino Shqipëria kishte ndihmën e të gjithë miqve ndërkombëtare BE dhe SHBA për zgjidhjen e çështjes kurse sot të gjitha vendet luftojnë për veten e tyre dhe për të marrë sa më shumë respiratorë, maska dhe pajisje mbrojtëse.

Viti ’97, si u menaxhua situata atëhere me situatën e sotme?
Unë mendoj që ka ndryshim të jashtëzakonshëm, nuk është e njëjta gjë. Dhe atëhere ishte një krizë shumë e rëndë por mos harrojmë ishte e Shqipërisë dhe jo globale.
Nga kjo pikëpamje ’97 ishte më e thjeshtë për të menaxhuar dhe zgjidhur. Jo vetëm unë si kryeministër por edhe europian dhe amerikan ishte në ndihmë të atij momenti kolapsi për ta kaluar.
Në rastin në fjalë është një epidemi mbarëglobale që të gjithë vendet luftojnë për veten e tyre. Sot vendet luftojnë kush të marrë më shumë respiratore, maska etj. Vende si Shqipëria i ka me pakicë, me defiçit, për mjekët dhe popullsisë.
’97 nuk mund të krahasohet me 2020. Menaxhimi i asaj krize ishte shumë më e thjeshtë dhe i kuptueshëm pasi qytetarët kishin dalë nga një skemë piramidale dhe populli ishte ngritur ndaj qeverisë së vet dhe ishin pushtuar gjithë depot e armatimit.
Nuk po them që nuk kishte vështirësi por ishte në një krizë copëtimi, vëllavrasje pasi të gjithë ishin të armatosur por ishte kriza jonë shqiptare, e lokalizuar. Duke e krahasuar dhe me këtë pandemi ndihma nga BE dhe forca shumëkombëshe në prill i dhanë mundësinë dhe ndihmë Shqipërisë për të përballuar krizën. Ishin prezente me forca ushtarake për të menaxhuar situatën. Për të patur qetësi dhe për të bërë zgjedhje të mirëkuptuara.
Prandaj them që ka ndryshim, ishte kriza e shqiptarëve dhe e përballuam si qeveri dhe vlen të falenderojmë miqtë ndërkombëtarë madje dhe takimet e mia në 6 muaj ishin intensive.”- tha Bashkim Fino.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb