Bashkimi Evropian ka finalizuar tekstin e marrëveshjes së re tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas muajsh negociatash intensive dhe debatesh politike, duke kapërcyer një nga pengesat e fundit për ratifikimin e saj dhe duke shmangur një përshkallëzim të ri të tarifave mes dy blloqeve ekonomike. Marrëveshja u arrit në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare të BE-së dhe eurodeputetëve, ndërsa procesi i negociatave u koordinua nga presidenca qipriote e Bashkimit Evropian. Sipas draftit përfundimtar, Bashkimi Evropian do të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa në këmbim Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një kufi tarifor prej 15% për eksportet evropiane.
Marrëveshja mori rëndësi të veçantë pas paralajmërimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse dokumenti nuk ratifikohej deri më 4 korrik, tarifat për automjetet evropiane do të rriteshin nga 15% në 25%. Tashmë, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare pritet të vijojnë me votimet përfundimtare për miratimin e marrëveshjes. Institucionet evropiane vlerësojnë se procesi mund të përfundojë brenda afatit, me Parlamentin Evropian që pritet të votojë më 16 qershor, ndërsa më pas do të vijojnë ratifikimet nga kryeqytetet evropiane.
“Ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të ekuilibruar është në interes të të dyja palëve”, deklaroi ministri i Tregtisë i Qipros, Michalis Damianos.
Edhe pse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar, procesi i ratifikimit u vonua për shkak të kundërshtimeve të forta në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët kishin bllokuar disa herë procedurat, fillimisht pas deklaratave të Donald Trump për Groenlandën dhe më vonë pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi një pjesë të kuadrit global tarifor të administratës amerikane. Versioni final i marrëveshjes përfshin disa mekanizma shtesë mbrojtës për Bashkimin Evropian. Mes tyre është edhe zgjatja e afatit të marrëveshjes deri në fund të vitit 2029, në vend të vitit 2028.
Po ashtu, negociatorët kanë përfshirë masa që synojnë mbrojtjen e industrive evropiane në rast të rritjes së ndjeshme të importeve amerikane. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-të nuk respektojnë angazhimet e marra.
