Komisioni Evropian paralajmëroi sot për pasojat serioze në rast të një pezullimi të protokollit të Irlandës së Veriut për marrëdhëniet BE-BM, pas një takimi midis negociatorëve në Bruksel.

“Kjo do të nënkuptonte refuzim të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje konsensuale në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, paralajmëroi eurokomisioneri Maros Sefcovic, pas takimit të tij me Sekretarin britanik të Shtetit, David Frost.

Në disa raste, Londra ka kërcënuar se do të nxisë nenin 16 të këtij protokolli, që lejon pezullimin e disa dispozitave, veçanërisht në rastin e “vështirësive të mëdha ekonomike”.

Britanikët e akuzojnë këtë marrëveshje si burimin e problemeve të furnizimit në krahinë.

“Dëgjojmë shumë për nenin 16. Nuk ka dyshim se nxitja e këtij neni, për të arritur një rinegocim të protokollit, do të kishte pasoja të rënda për Irlandën e Veriut, sepse do të rezultonte në paqëndrueshmëri dhe paparashikueshmëri”, shtoi Sefcovic.

Me të mbërritur në Bruksel, Frost ngriti sërish kërcënimin e pezullimit: “Ne nuk do të aktivizojmë sot nenin 16, por është në tryezë dhe kjo që nga korriku”.

Protokolli, në fuqi që nga fillimi i vitit, mban provincën britanike në bashkimin doganor evropian dhe në tregun e vetëm, për të parandaluar kthimin e një kufiri fizik në ishullin e Irlandës, që do të rrezikonte dobësimin e marrëveshjes së paqes nga viti 1998.

Londra kërkon rinegocimin e saj dhe, në veçanti, heqjen e të drejtës së kontrollit të Gjykatës së BE-së për aplikimin e saj, për ta zëvendësuar atë me “një arbitrazh ndërkombëtar”, një modifikim i papranueshëm për evropianët që refuzojnë një rinegocim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb