Finlanda ka normën më të ulët të vdekshmërisë së foshnjave në botë. Prandaj, tani janë duke u ndërmarrë përpjekje që ideja për kutinë e foshnjës të shtrihet përtej kufijve finlandezë, shkruan sot Koha Ditore.

Në shikim të parë duket vend i çuditshëm për ta vënë të porsalindurin: pak çarçafë dhe një kuti e vogël, e rregulluar në paketë. Megjithatë, është ky vendi i parë në të cilin flenë foshnjat në Finlandë.

Finlanda ka normën më të ulët të vdekshmërisë së foshnjave në botë – 2.52 për çdo 1.000 lindje – më pak se gjysma e asaj në SHBA. Finlanda ua jep të gjitha nënave të ardhshme kutinë për foshnja, por është një kusht. Për ta marrë atë nëna e ardhshme duhet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore gjatë katër muajve të parë të shtatzënësisë.

Për çdo vit Qeveria finlandeze shpërndan 40.000 paketa, që vijnë me çarçafë dhe rreth 50 sende të tjera për foshnja, përfshirë rroba, çorape, një xhaketë dhe kapelë për dimrat e ftohtë nordikë. (Nënat që nuk kanë nevojë për këto gjëra mund t’i marrin 140 euro në vend të tyre).

Ky program kishte nisur në fund të viteve tridhjetë, kur gati një në dhjetë foshnja në Finlandë vdisnin në vitin e tyre të parë të jetesës.

Kutitë ishin një mënyrë pak e kushtueshme e inkurajimit të grave, posaçërisht atyre me të ardhura të ulëta, t’i lënë anash zakonet e vjetra dhe të konsultoheshin me mjekun gjatë shtatzënësisë, pa marrë parasysh se a ndiheshin mirë apo jo. Kutitë po ashtu ishin një vend i sigurt ku foshnjat mund të flinin, në vend se të flinin në shtratin e prindërve.

Finlanda po ashtu konsideron mbrojtje të konsiderueshme për prindërit e ardhshëm: 10 muaj pushim me pagesë dhe garanci se secili që qëndron në shtëpi për t’u kujdesur për foshnjën mund të kthehet në vendin e tij apo të saj të punës në çdo kohë, para se fëmija t’i mbushë tre vjet. Tani janë duke u ndërmarrë përpjekje që ideja për kutinë e foshnjës të shtrihet përtej kufijve finlandezë. Finlanda i dërgoi një kuti me pajisje princit William dhe bashkëshortes së tij, dukeshës së Cambridges, më 2013, derisa një spital në Londër ka nisur pak kohë më parë që të shpërndajë kuti të tilla mbi bazën e provave.

Në Minnesota të SHBA-së një grup jofitimprurës është duke ua shpërndarë kutitë familjeve me të ardhura të ulëta, duke shërbyer si inspirim për një propozim që po diskutohet nga ligjvënësit shte – tërorë. Një i diplomuar në Harvard e ka formuar një organizatë për të shpërndarë kuti të ngjashme në Azinë Jugore.

Po ashtu, tre baballarë finlandezë e kanë nisur një biznes për të shitur kuti në shtetet që bëjnë më pak për të ndihmuar prindërit e rinj.

“Kur vendosesh për të jetuar jashtë e kupton se jo secili vend e ka kutinë për foshnjë”, thotë Sanna Kangasharju, që punon në Ambasadën Finlandeze në Washington. “Megjithatë, sistemi është tejet efikas”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: