Nga: Besim NDREGJONI

Ç’ësht krimi? Kush është krimineli? A duhet dënuar krimi? Përse duhet dënuar krimineli? Këto pyetje të thjeshta janë, në të vërtetë, thelbësore për një shoqëri civile e të qytetëruar. Nga përgjigja e plotë e tyre varet, në fakt, mbarëvajtja e shoqërisë në përgjithësi, dhe natyrisht edhe shoqërisë shqiptare. Shqipëria mban në ndërgjegjen e saj disa nga gjërat më dramatike për një komb. Njëra pjesë e kombit të saj u përndoq në mënyrën më të pamëshirshme, u përndoq për bindjet e saj, për pasurinë e saj, për rangun dhe inteligjencën, për kodet e saj etike e kombëtare, u përndoq për pesë breza. Vetëm se ishte e tillë.

Kur një shoqëri nuk do të ballafaqohet më ndërgjegjën e vet për të bërë pastrimin e së keqës, ajo shoqëri do të vazhdojë të jetë traumatike: Të nesërmen, kushedi, mund ta ketë më të errët se të djeshmen.

U mbushën 28 vite që nuk janë gjetur eshtrat e 4500 të pushkatuarëve pa gjygje nga diktatura. Dhe sot ata vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe të harruar nga klasa politike.

Këta korifej të kombit tim sfiduan padrejtësinë e terrorit me anën e vlerave të tyre, duke u martirizuar, gjënë më të shejtë jetën. Këta korifejë sfiduan padrejtesinë, duke sakrifikuar moshën, por jo idealin e lirisë, drejtësisë paqes për shoqerinë.

Që në vitet e para të demokracisë, ne ënderronim që padrejtësia e një sistemi çnjerzor komunist do të denohet moralisht dhe penalisht.

Fatëkeqësisht sot kur po mbushen 28 vite të ndrimit të sistemit, ne shqiptarët, e në veçanti politika nuk i dënuan këto krime, por përkundrazi me mënyra të streholluara përdorën diktatin ndaj kësaj pjese të shoqerisë që nuk u bë palë me diktaturën,” harresën”.

Harresa është një fenomen që nuk i shërben paqes, lirisë, por diktaturës. Duke ndjekur me vëmendje aktorët politikë meditike si dy shtylla të fuqishme të pluralizmit, kemi parë se fenomenin e harresës ndaj vlerave dhe dijes së kombit, e mbulojnë me gënjeshtrën, ideologjinë nga vjen kjo klasë politike. Më anën e pushtetit të diktatit të fshijnë dijen që na kan lënë trashgimi këta burra e gra që janë sot në këtë sallë, me trashgimtarët e tyre, dhe me shkëlqimin e vlerave të tyre kombëtare duket sikur bisedojnë me ne, duket sikur dhe sot mbas terrorit na frymëzojnë që ne të punojmë për të mirën e shoqerisë e të kombit.

Deri kur drejtësia të penalizojë padrejtësinë kjo shoqëri nuk mund të ketë paqe, dhe dashuri. Ne jemi dëshmitarë okularë të atmosferës së frikës që krijon çdo terror, sidomos terrori i kuq. Ne gëzojm të drejtën e fituar me gjak për fjalën e lirë, mendimin e lirë, veprimtarinë e lirë e ligjore ma shumë se asnjeri tjetër.

Kjo e drejtë nuk ashtë një privilegj, por një e drejtë që nuk mund të mohohet nga askush.

E kur ajo mohohet –siç ashtë rasti shumë herë në vitet e fundit- e drejta e jonë për revoltim është e shenjtë, dhe e pacenueshme.

Ku janë eshtrat At Gjergj Fishtës, të Patër Anton Harapit, Lef Nosit, Maliq Bushatit, ku janë eshtrat e At Aleks Lipes të Sazan Hadëri në burgun e Burrelit, të Xhelal Koprencës në Spac e mijëra të tjerëve në Maliq e Beden. Është e turpshme e asapak kombëtare të flitet për kontribute e atyre që i sollën kësaj shoqërie diktaturë e të heshtet ndaj këtyre që u sakrifikuan që ne të kemi liri. A kanë moral drejtuesit e pushtetit të sotëm të nderojnë xhelatët që u humbën eshtrat këtyre shqiptarve dhe të përbuzin korifejtë e lirisë të mendjes e të dashurisë njerzore?!

Dhe veprat e këtyre martirëve të ditur, të zhdukur sot mbas 28 vitesh presin nga kjo klasë politike

Të ua kthejnë eshtrat, t’i qetësojnë familjarët, t’u ndërtojnë një varr në tokën mëmë Shqipëri.

A është e qetë shoqëria kur në 105- vjetorin e pavarësisë, flitet për pamvarsinë, dhe ata që bënë pavarsinë si Lef Nosi, Fejzi Alizoti, me të tjerë sot nuk kanë një varr? Ka 28 vite që ky shtet i ashtuquajtur demokratik, ka financuar me mijëra subjekte e individë, kurse për gjetjen e eshtrave të vrarëve të diktaturës nuk ka dhënë as edhe një cent. Janë gjetur afërisisht 2000 të vrarë nga viti 1944- 1990 e deri më sot, pa ndihmën e shtetit, por vetëm familjarët me shpenzimet e veta. Aq përbuzëse është përgjigjja e këtij shteti ndaj këtij fenomeni kombëtar sa të përgjigjen me indiferentizëm se nuk ka dosje për të pushkatuarit, sikur këta i ka marrë ndonjë pushtues e i ka larguar jashtë Shqipërie.

Kosova e pushtuar 100 vite nga serbët kërkon 2000 qytetarë të zhdukur. Ne të pushtuar nga diktatura komuniste për 50 vite kërkojmë 4500 të zhdukur.

A ka ndërgjegje kombëtare presidenti, parlamenti, qeveria, kur një pjesë e shoqërisë kërkon të drejtën njerëzore të respektojë ata që u vranë për liri, për këtë demokraci që flasim sot. Por ndergjegjën e tyre e ka mbuluar heshtja, heshtja e tyre është krimi i dytë që u bëhet martirëve që u vranë për liri dhe sot nuk kanë një varr në vendin e tyre.

Heshtja është veprim kriminal ndaj të vrarëve e të zhdukurve nga diktatura komuniste për jetët e humbura për mijëra vite e vuajtje nga diktatura dhe krimi.

Mos hesht se bëhesh fajtor! Po, gjetjes së eshtrave te zhdukurve.

Eshte koha të veprojmë e të kapim kohën e humbur! Është koha të ndërtojmë parcelën Kombëtare me emrat e tyre përballë godinës së qeverisë siç kanë ndërtuar hebrejtë përball Budestangut gjerman parcelën e kujtesës e ku Merkeli çdo vit u kërkon falje për krimet e Hitlerit. A do të kërkoi falje Edi Rama, Gramoz Ruçi, e Ilir Meta, Sali Berisha, siç kërkoi Lulzim Basha dje me 26 mars 2018 në konventën kombëtare të familjarve që nuk i kanë gjetur eshtrat, siç bëjnë gjermanët!

Kthimi i eshtrave familjarve, ndërtimi i parcelës kombëtare para selisë së qeverisë është mirnjohja, paqja, dhe pajtimi kombëtar i shoqërisë dhe shqiptarve.

Bëhu dhe ti kontribues në gjetjen e eshtrave të të zhdukurve se këta të zhdukur janë shqiptarë janë bashkombasit tuaj janë ata që i dhanë këtij vendi pamvarsinë, që i dhanë këtij vendi shtetin, që i dhanë këtij vendi lirinë duke sakrifikuar jetën e tyre!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: