Shkëlqim Hajdari, anëtar i kryesisë së Klubit basket “Partizani” ka folur sot në një bisedë në rubrikën “Opinion” në News24 për ikjen e parakohshme nga jeta të një prej personaliteteve më të shquara të basketbollit shqiptar, ikonës së klubit të Partizanit dhe Kombëtares, Arben Fagu.

Jo pa emocione, Hajdari ka shprehur vlerësimin më të madh për ish-lojtarin e Partizanit dhe trajnerin e klubit të kuq që u shua në moshën 65-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë.

Ai tha se ikja e tij është e dhimbshme dhe se ceremonia e përcjelljes së Arben Fagut bashkoi njerëz me vlera qytetare.

“Sot unë kam parë pas shumë viteve, që nga koha kur ndërroi jetë Teodor Keko që një njeri mund të bashkojë njerëz bazuar në vlera qytetare siç ishte Arben Fagu dhe familja Fagu.
Kanë folur dhe i kanë shprehur ngushëllimet familjes Fagu që nga personalitetet më të mëdha të vendit, drejtues të klubit Partizani etj., të cilët pa asnjë diskutim kanë nxjerrë në pah vlerat njerëzore, intelektuale qytetare të Arbenit dhe familjes Fagu. Në këtë kohë që kalojmë, njerëz të tillë që largohen nga kjo botë duhet të shërbejnë si momente reflektimi.
Agim Fagu, Arben Fagu, Drita Fagu, janë fëmijë të të madhit Besim Fagu që nga lufta direkt krijoi klubin Partizani. Me një devocion shumë të madh krijoi një klub që u bë pjesë e edukimit”, tha Hajdari.

Si një mik i familjes Fagu, ai tha se nuk mund të gjesh një Fag në Tiranë që nuk ka kontribuuar duke theksuar dashurinë e tyre të madhe për vendin, sportin e kulturën.
“Familja Fagu është e madhe. Jam mik i familjes Fagu. Nuk mund të gjesh në Tiranë një Fag që mos të ketë dhënë kontribute. Ikja e Benit ishte e dhimbshme, një dhimbje e madhe për bashkëshorten e tij Pranverën, për nënën e tij dinjitoze. Sigurisht për Gimin, por edhe për Dritën dhe të paslindurit, por sidomos për Gimin.
Ai ishte djali i Besim Fagut dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. Në familjen e tyre nuk ka shkuar asgjë haram. Veçse i kanë dhënë Shqipërisë, Tiranës, sportit. Kishin një dashuri të madhe për atdheun, për sportin, kulturën, artin”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.

Sipas tij, ikja e njerëzve të tillë është një humbje e madhe. “Sjellja e Benit është ajo sjellje që në gjuhën fetare i thonë, ‘Zoti i ka bërë për vete’. Një njeri shumë paqësor.
Të gjithë bashkë arritëm që Partizani i shkatërruar para 3-4 vitesh u bë një ekip dhe ekipet zinxhir të basketbollit u krijuan. Na ka ikur ai që ishte kryesori. Ben Fagu që punonte me mish e shpirt që Partizani t’i afrohej lavdisë së madhe si atëherë kur ishte ai dhe vëllai i tij. Si Beni ishte krenar për Gimin, ashtu dhe Gimi ishte krenar për Benin”, tha ai.
Hajdari tregoi se sot në varrimin e Arben Fagut ishte gjithë Tirana, jo në kuptimin e masivitetit, por sot kishte qytetari, njerëz që kanë ardhur pa dallim feje, krahine e ideje.
“Përfitoj nga rasti të them që telefonatat, ngushëllimet që kanë ardhur kanë qenë të shumta. Familja Fagu ka organizuar pritje të shtunën, të dielën e të hënë, kështu që gjithë dashamirësit janë të mirëpritur për të përkrahur familjen Fagu për këtë humbje kaq të madhe”, tha ai.

Sa i përket mesazhit të kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga jeta të basketbollistit të shquar shqiptar, Hajdari e cilësoi të ndjerë dhe që tregon të vërtetën.
“Rama është politikan, dikur ka qenë sportist dhe ka mesazhe që është i detyruar për t’i bërë për ngjarje që ndodhin dhe mesazhet nuk janë gjithmonë të kryeministrit Rama dhe pse ai ka penë, shkruan bukur. E kam lexuar mesazhin dhe është mesazh njerëzor, besoj që i ka dalë nga shpirti. Beni ka qenë një trajner shumë miqësor, por dhe kërkues, Rama ka qenë sportist rebel dhe ai shpreh mirënjohjen se një nga njerëzit që kanë kontribuuar në jetën e tij është dhe Ben Fagu. Është një mesazh i ndjerë, që tregon të vërtetën rreth familjes Fagu dhe Arben Fagut dhe mirënjohje për këtë familje”, tha ai.

“Lista të pastra”, Hajdari: Shansi i fundit që opozita e maxhoranca të jenë të sinqertë

Hajdari foli dhe për aktualitetin politik, listat e kandidatëve për deputetë dhe thirrjen e ambasadorëve. Sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama se selitë e partive nuk janë komisariate policie, ai tha se Rama ka folur si jurist.
“Partitë në Shqipëri, përfshirë PS, PD dhe partitë e vogla duhet të kuptojnë që nëse duan të rrisin pjesëmarrjen e shqiptarëve në votime duhet të përfshijnë në listat e tyre njerëz të pastër, njerëz të ndershëm, që janë profesionistë dhe dinë ta bëjnë punën dhe të jetë një ëndërr e largët historia që ne kemi promovuar në parlament njerëz me rekorde kriminale, njerëz pa vlera. Ligji i dekriminalizimit i penalizon shumë rëndë individët që do guxojnë dhe qysh në lista do të pësojnë tërheqje nëse do të kenë në listat e tyre njerëz që i kap ligji i dekriminalizimit. Rama ka folur si jurist.

Sa i përket reformës në drejtësi, rifillimit të punës nga Gjykata Kushtetuese dhe punës së SPAK, Hajdari tha se ka nisur gjykimi i çështjeve të para dhe se shpreson që brenda 6 muajsh Gjykata e Lartë do të riformatohet dhe të zgjedhë dhe tre anëtarët e tjerë të Kushtetueses.
“Pritshmëritë nga Gjykata Kushtetuese janë të forta. Jam i prirur të beso jse këta njerëz do të tregojnë integritet. Ata duhet të zbatojnë vetëm Kushtetutën. Po kështu dhe SPAK-u ka filluar lëvizjet. Do ketë rezultate hetimore. Jam i bindur se të gjitha organet do bëjë detyrën e vet që Shqipëria të bëjë zgjedhje të ndershme dhe pas këtyre zgjedhjeve për herë të parë mos të kontestohen.
Kjo histori nuk duron dot më. Njerëzit flasin kudo, nëpër tavolina. Jemi vend i vogël, nuk mund të fshihemi pas gishtit. Shansi i fundit që opozita dhe maxhoranca të jenë të sinqertë. Zoti Rama dhe zoti Basha të bëjnë një debat intelektual, qytetar. Çfarë masash duhet të marrë Shqipëria, por me llogari, specialistë që ne të ndalojmë emigracionin e shqiptarëve. T’i krijojmë mundësi punësimi, arsimimi, t’iu kthejmë optimizmin njerëzve. Të mos bëjmë luftë nëpër frëngji, të diskutojmë me qetësi”, deklaroi Hajdari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb