TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot dy drejtorët e Policisë së Shtetit, Albert Pata dhe Alban Ahmeti si person të përfshirë në trafikun e drogës. Në një status në faqen e tij zyrtare të Facebook, Berisha që duket se e ka “harruar” çështjen “Doshi”, shprehet se Albert Pata, Drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ishte direkt i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë dhe Greqisë.

Po për të njëjtën gjë ai akuzon edhe pasardhësin e Patës, Alban Ahmetaj.

Por sipas Berishës të dy këta drejtorë “janë vetëm oficerë në shërbim të shefave të tyre, baronëve të drogës në krye të mazhorancës të qelbësirave”.

“Të dashur miq, dy drejtorët e drejtorisë operacionale të Policisë së Shtetit, drejtorisë më të rëndësishme të Policisë, Albert Pata dhe pasardhësi i tij Alban Ahmeti të përfshirë në trafikun e kanabisit dhe kokainës. Kështu, rreth 16 muaj më parë Albert Pata u emërua Drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Atij menjëherë iu dhurua grada Drejtues i Parë fal kontributit të tij financiar dhe politik (numërues i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013).

Në muajin mars të vitit 2014 mbi bazën e informacioneve të ardhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Shërbimet inteligjente dhe nga Autoritet ligjzbatuese Italiane, provohet se drejtuesi i kësaj njësie speciale, e cila mbulon vëzhgimin, përgjimin dhe agjent nën mbulim, ishte direkt i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë dhe Greqisë.

Ndërmjetës i tij me grupet e trafikut të drogës në jug ishte Seresi, oficeri dhe shoferi superpotent, miku i ngushte i Sajmir Tahirit që u arrestua tek transportonte rreth 1 ton drogë. Në momentin e arrestimit të tij nga policia e Gjirokastrës, Didi telefonoi në Drejtorinë e Policisë së këtij qarku. Ai nuk kërkoi direkt lirimin e tij por iu tha atyre se ministri do mërzitet shumë nga arrestimi i Serezit. Pata, që duhet të procedohej, mori vetëm largimin nga drejtor për të vazhduar punën në një detyrë tjetër.

Në vend të tij u emërua drejtor i njësisë, Alban Ahmetaj, edhe ky i përjashtuar nga forcat e Policisë në vitin 2006, rikthehet në kundërshtim me ligjin në tetor të vitit 2013 për të vetmen arsye se ishte kontribuues financiar dhe pjesëmarrës direkt në strukturat e Partisë Socialiste, emërohet në detyrën e Shefit të Komisariatit nr. 4 duke iu dhuruar grada, në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit dhe VKM për gradat. Në mars të 2014 si lidhje direkte e Tahirit dhe Didit, emërohet Drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe i jepet grada Drejtues i Parë në kundërshtim me ligjin.

Në muajin mars të vitit 2015 Drejtori i Përgjithshëm e largon nga kjo detyrë pasi ishte i implikuar drejtpërdrejt në trafikun e lëndëve narkotike me punonjësin e policisë Hamza Demushaj. Para infiltrimit të Hamzës shefi i tij kundërshton vendimin e infiltrimit dhe kërkon verifikimin e tij. Të nesërmen shefi degdiset në periferi të Shqipërisë, kurse Hamza, tashme oficer i infiltruar, fillon punën për vete dhe drejtorin e tij, Alban Ahmetaj dy muaj para këtij skandali ishte nën hetim nga Njësia Taks-Forcë pranë Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të korrupsionit (për marrje ryshfeti për punonjësit e policisë për emërime).

Por Pata dhe Ahmeti janë vetëm oficerë në shërbim të shefave të tyre, baronëve të drogës në krye të mazhorancës të qelbësirave!”, shkruan Berisha.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: