TIRANË- Ish-­kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor strukturat e shtetit për qëllime elektorale në zgjedhjet e ardhshme lokale. Berisha ka publikuar një audio-regjistrim në faqen e tij zyrtare të “Facebook” dhe në “Youtube”, ku dëgjohet zëri i kryeministrit Edi Rama që jep urdhëra ndaj drejtorëve dhe shefave të drejtorive që ata të mbajnë përgjegjësi personale për votat e marra në çdo qendër votimi.

“Edi Rama pohon me gojën e tij në këtë audio se meritokracia që premtoi është thjesht një shkër…. craci e Dritëroit. Ky regjistrim dëshmon se si shpërdorohet, keqshfrytëzohet sot shteti dhe resurset shtetërore në një fushatë politike për interesa strikt partiake, duke shkelur kështu haptas dhe në mënyre flagrante parimin e zgjedhjeve të lira. Ju lutem dëgjojeni vetë këtu më poshtë me zërin e tij Edi Ramën!”,­ shkruan Berisha.

Dy ditë më parë u njoftua se kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që pati në Shkodër me përfaqësues të mazhorancës, i udhëzoi ata që të mbështesin kandidaturën e Keti Bazhdarit dhe për të rritur numrin e votave të majta në këtë qytet për zgjedhjet e ardhshme lokale të 21 qershorit.

BISEDA E TRANSKRIPTUAR

Rama: Shtabit drejtues, që është shtabi i përbashkët i kandidates dhe i katër deputetëve që janë këtu në sallë iu tha vetëm një gjë, që të gjithë këtyre drejtorëve, nëndrejtorëve që janë shefa dhe përgjegjës të caktojnë detyrën konkrete. Dhe detyra konkrete do të jetë, sa kuti votimi do kesh ti nën përgjegjësinë tënde personale, që do të thotë dikush një zonë, dikush pesë qendra, dikush dy qendra e kështu me radhë, por ama aty në krah secili nga ju do marrë në dorë letrën e do iu thuhet: Këto janë votat që ne presim të dalin nga kjo qendër votimi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb