TIRANË 

Ish-deputeti demokrat Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se krijimi i partisë së re “Bindja Demokratike” është një hap logjik i vonuar.

“Partia e re ‘Bindja Demokratike’ është një hap logjik i gabuar. Bindja i shërben demokracisë në vend si tjetër forcë politike. PD nuk është marrë me segmentet që kanë dalë prej saj. Historia ka treguar se partitë që kanë dalë nga trungu i PD kanë dështuar. Kështu ndodhi me FRPD dhe parti të tjera.

PD nuk ka hyrë në dialog me partitë e re, pavarësisht se kanë një kundërshtar të përbashkët dhe ky është Rama. Por PD nuk është marrë dhe nuk e pranon sigurisht Patozin, pasi ai kërkon largimin e kryetarit Basha. Nga partia e re, Bindja shoh konfuzion. Ata duhet që të përpiqen të bëjnë për vete elektoratin gri. Nëse Bindja merr vota janë problem për Edi Ramën”, deklaroi Mustafaj.

I pyetur për Reformën Zgjedhore, Mustafaj deklaroi se nuk sheh vullnet politik për ta ndryshuar atë as nga PD dhe as nga PS, por sidomos nga Partia Socialiste.

Mustafaj u shpreh se opozita është në rrugë, po bën betejën e saj maratonë, duke thënë se situatën e ka sjellë deri këtu Rama.

“Rama e ka sjellë situatën deri këtu. Sot në rrugë nuk është vetëm PD, por është edhe një parti e majtë si LSI. Gjithashtu, në rrugë janë edhe aleatët e Partisë Demokratike”, vlerësoi ish-deputeti Mustafaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb