Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Aleksandër Biberaj në emisionin “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën e opozitës para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Biberaj deklaroi se demokratët duhet të futeshin në zgjedhje të bashkuar dhe se ishte detyra e Sali Berishës për ta bërë këtë gjë, ndërsa shtoi se megjithatë mendon se do ketë bashkëpunim në nivel lokal nga palët.

Sipas tij beteja më e fortë do jetë ajo në kryeqytet, nga ku vjen edhe fitorja, teksa tha gjithashtu se në Tiranë po pastrohen miliardat e organizatave kriminale italiane e amerikano-latine.

“Mazhorancën në PD e ka Berisha, kjo është e qartë. Grupi Basha-Alibeaj nuk përfaqëson demokratët, janë produkte të Berishës. Opozita është shumë e dobët, që nga viti 2013. Po të ishte e fortë Rama nuk qeveriste asnjë mandat.

Braktisja e reformës administrative ka pasur shumë pasoja, pastaj ishte marrëveshja që shiti zgjedhjet në 2017. Opozita sot është më e fortë se ajo e Bashës, por sërish ka të njëjtët anëtarë. Nuk ka pësuar shumë ndryshime.

Berisha kishte dy misione, largimi i Bashës dhe ai i Ramës, nuk ka ndodhur asnjë. Berisha duhet të bënte maksimumin për të unifikuar partinë. Aty janë goditur personalitete për t’u hapur rrugën këtyre që dolën të paaftë. Në fushatë elektorale duhet të ngrihet flamuri i paqes, përgjegjësia është e të dyja palëve. Kolegët e foltores sillen sikur janë në pushtet, kanë kryeneçësi. Unë sërish shpresoj se në nivel lokal do ketë bashkëpunim duke mbështetur të njëjtët kandidatë dhe për të diskutuar mbi këshilltarët bashkiakë. Për Tiranën, Durrësin apo Elbasanin edhe bashki të tjera nuk besoj se do ketë kandidatë të tjerë nga grupimi Basha-Alibeaj.

Pala tjetër që kur vjedh zgjedhjet nis vjedhjen dhe sërish vjedh zgjedhjet me paratë që ka marrë. E kanë fushatën që kur i fitojnë zgjedhjet. Këllilçi në 15 maj duhet të jetë fitues dhe duhet t’i bashkojë demokratët e Tiranës. Le të komunikojë me kë të dojë kundër kryebanditit që është sot në Tiranë.

Berisha nuk ka bërë asnjëherë fushata të vogla, ai është vendosur si një lider në tubime të mëdha. Këtë punë duhet ta bëjë edhe Këlliçi sot, duhet të fitojë jo vetëm demokratët, por edhe pjesën gri edhe socialistët. Rama është tmerrësisht i keq, por edhe Veliaj është më i keq. Fitorja vjen nga Tirana, këtu janë miliardat që po pastrojnë organizatat kriminale italiane e amerikano-latine me anë të ndërtimeve.

Alibeaj po zhvillon disa takime nëpër hotele e motele, le të vijë te Partia Demokratike, ka hapësira e mundësi. Kryesia e një partie shkon bën takime në hotele. Ata nuk përfaqësojnë asnjë gjë. Nuk të sjell fitoren vula. Nuk të bën lider politik vula, por të faktorizon vota. Ligji është kush mbush kutinë e votimit me vota.

Unë nuk jam dakord për koalicionin me LSI-në, jemi në situatë surrealiste dhe duhet të bashkohemi me gjithë individët dhe intelektualët. Partia e re mund të ishte opsion, por bashkimi i PD duhej bërë patjetër. PL do ketë vendin e vetë në këshillat bashkiakë, por votat janë për kandidatët e Primareve”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb